Dokumentet sekrete te CIA-s/ Negociatat e Berishes me amerikanet per floririn
Sali Berisha, që në fillimet e demokracisë ishte president i vendit, ka negociuar me amerikanët për çështjen e kthimit të arit të grabitur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, por që mbahej bllokuar nga britanikët për shkak të incidentit të Kanalit të Korfuzit.
Sipas dokumenteve të publikuara në gazetën Panorama, në negociata u përfshinë ethshëm edhe amerikanët.
Për gjithçka, ambasadori amerikan i asaj kohe në Tiranë, Rajerson, informonte DASH dhe CIA-n.
Amerikanët ishin dakord që ari të kthehej për shqiptarët, por ata kërkonin një pjesë si dëmshpërblim për pronat e sekuestruara qytetarëve amerikanë gjatë regjimit komunist.
Raportohet se amerikanët kërkonin 3 milionë dollarë.
Pala shqiptare ofronte vetëm 1.5 milionë dollarë.
Në mesin e negociatave, ofertën përfundimtare e bën vetë Sali Berisha.
Ai u jep amerikanëve 2 milionë dollarë dhe ata duket se janë të kënaqur me këtë shumë.
Panorama shkruan se duket sikur Berisha nuk është akorduar me zyrtarët shqiptarë të ngarkuar për këto negociata.
Në fund amerikanët marrin shumë, ndërsa shqiptarët përfituan diku tek 11 milionë dollarë, një shumë tepër modeste në krahasim me kalvarin e ndërmarrë për më shumë se gjysmë shekulli.
Marrëveshja përfundimtare me amerikanët u nënshkrua më 10 mars të vitit 1995 për kthimin e sasisë prej 1574 kilogramësh të grabitur nga nazistët.
Marrë nga gazetatema.net