Drejt tensionimit situata politike ne Kosove, VV paralajmeron protesta
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se ngërçit politik në vend po i vjen fundi, raporton Zeri, pasi sipas të gjitha gjasave javën që vjen do të jetë vazhdimi i seancës së Kuvendit. Ai ka mohuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, por ka shtuar se do të ketë demonstrata nëse kryesuesja nuk thërret seancën gjatë javës së ardhme, si dhe në rast se presidentja nuk jep mundësinë herën e dytë bllokut për krijimin e qeverisë.
Ai ka mbajtur të shtunën tubim me qytetarët e Mitrovicës me temën “Zgjidhja sipas qytetarëve”, ku temë ishte situata politike e krijuar në vend.
Kurti, ka shpjeguar në detaje se çfarë ka ndodhur në këtë periudhë bashkë me pasojat politike.
“Ndodhemi në një situatë kur ne jemi deputetë të Kuvendit, kurse PDK-ja me ndihmën e Gjykatës Kushtetuese, e ka lënë pa Kuvend Republikën e Kosovës, sepse ajo nuk e do Republikën tonë si Republikë Parlamentare, por vetëm si një Republikë qeveritare, në të cilën ka shumë qeveri e pak Republikë, por kësaj po i vjen fundi tash. Siç duket, në javën e ardhshme me gjasë do të ketë seancë të Kuvendit, dhe në këtë seancë të Kuvendit përfundimisht do të zgjidhet kryetari i Kuvendit, i cili do të jetë si rezultat i heqjes dorë të koalicionit LDK, AAK, Nisma nga kjo pozitë, dhe asisoj t’i hapet rruga menjëherë krijimit të qeverisë, atyre që përbëjnë shumicën parlamentare e këta janë bashkëpunimi midis LAN-it dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Kurti.
PDK po shkel Kushtetuten?
Nderkohe, “Partia Demokratike e Kosovës po bën shkelje kushtetuese me mosthirrjen e seancës konstituive të Kuvendit”. Kështu te pakten, ka vlerësuar hulumtuesi në institutin KIPRED, Albert Krasniqi në një prononcim për “Zërin”.
Sipas tij tani pas shprehjes së gatishmërisë së Bllokut LAN për ta votuar kandidatin PDK-së për kryetar të Kuvendit janë krijuar rrethanat që të vazhdohet me konstituimin e institucioneve të reja. Prandaj sipas Krasniqit refuzimi i PDK-së për të vazhduar seancën konstituive të Kuvendit pa arritur një marrëveshje për formimin e Qeverisë paraqet shkelje kushtetuese.
“Nuk po shoh arsye pse duhet të zvarritet ky proces edhe më tutje, përderisa blloku ka shpreh gatishmërinë ta votoj kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit. PDK duhet ta thërras vazhdimin e seancës konstituive për shkak se është duke bërë shkelje kushtetuese dhe mandej rrjedhin afatet ligjore dhe gjithçka është më e lehtë, me çrast partitë vet do të jenë nën presion që të bëjnë zgjidhje më shpejt”, ka deklaruar Krasniqi për “Zërin”.