Drita dhe hijet e aksionit ne Lazarat
Fatos Lubonja
Përshtypja dominuese mbi aksionin e policisë në Lazarat është se edhe vetë opozita, që tradicionalisht në Shqipëri mohon çdo gjë të kundërshtarit, duhet të pranojë se ai ishte një aksion i suksesshëm. E para, ishte i suksesshëm pasi goditi ekonominë e drogës, duke dhënë idenë se shqiptarët duhet të mendojnë urgjentisht për një ekonomi tjetërsoj. Në këtë kontekst mund të hyjë edhe debati, tashmë i hapur, se në çfarë ekonomie të shëndoshë duhet të punësohen ata që kanë humbur punën në Lazarat. E dyta, operacioni dha idenë se shteti mund të funksionojë, po të dojë, për luftën kundër krimit dhe për çlirimin e territorit të zaptuar nga abuzuesit me pronën publike.
Nëse do ta shohim politikën si shërbim ndaj interesit publik, dhe jo si luftë për pushtet, sipas meje, pikërisht tek imazhi, që është pika më e fortë e këtij aksioni, qëndron edhe një nga pikat më të dobëta të tij.
Ndërkohë që ndërkombëtarët ky aksion i bind ndoshta më shumë se çdo aksion që është kryer ndonjëherë nga qeveritë shqiptare kundër krimit të organizuar, shqiptarët mbeten – dhe duhet të mbeten – skeptikë pasi e njohin tashmë goxha mirë dyfytyrësinë dhe kameleontizmin e politikës shqiptare.
Përpara ndërhyrjes në Lazarat kam bërë një shkrim me titull: “Lazarati – tumori malinj dhe metastazat”, ku ndërhyrjen e parashikueshme në Lazarat e krahasoja me operacionin ndaj një tumori malinj, duke apeluar për identifikimin e virusit shkaktar të tumorit, pasi, përndryshe, pas aparencës së imazhit, që mund të krijojë ky operacion, metastazat e krimit të organizuar mund të fillojnë e të zhvillohen edhe më me virulencë tjetërkund.
Ky është problemi që mbetet edhe pas këtij operacioni imazhi. Po përpiqem ta ilustroj këtë pikërisht me një operacion të ngjashëm që ka bërë Edi Rama kur ka qenë kryetar bashkie.
Sikur të pyesësh sot se cila ka qenë vepra më e rëndësishme e Ramës në Bashkinë e Tiranës, besoj se të gjithë do të thonë pastrimi i Lanës. Edhe vetë Rama këtë ka paraqitur si kartolinën e punës së tij në Bashki – së bashku me ngjyrat e pallateve që ka qenë një operacion imazhi par exellence për nga vetë natyra e vet. Edhe sot e kësaj dite gazetarët e huaj që shkruajnë për të tregojnë se si ai pastroi 500 e kusur godina dhe e gjelbëroi atë zonë – duke e ekzagjeruar sigurisht se ato nuk ishin pallate, por kryesisht baraka.
Çfarë ishte në thelb uzurpimi i Lanës dhe pastaj pastrimi i tij? Uzurpimi ishte një veprimtari që u krye shkallë-shkallë nga privatë të paskrupullt ndaj tjetrit dhe ligjit, që duke bashkëpunuar me politikën zaptuan hapësira publike për t’u pasuruar vetë në kurriz të shqiptarëve më të mirë e më të ndershëm. Nëse shtrojmë pyetjen se cili është Lazarati i vërtetë, e keqja, tumori tek e fundit, nuk mund të mos arrijmë në përfundimin se ai e ka rrënjën te ky lloj shqiptari që pastaj mund të bëhet profesionalisht gjyqtar, politikan, gazetar, tregtar, ndërtues apo edhe trafikant droge. Dhe e vërteta është se ky lloj shqiptari, me kohën, në vend se të pakësohet, është shtuar dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë, derisa ka pushtuar edhe trurin dhe organet vitale të shoqërisë.
Tani pyetja është: po pastrimi i Lanës që ishte një operacion goxha i suksesshëm (që të kujton edhe hedhjen në erë të pallatit në Vlorë për të ndërtuar shëtitoren, edhe Lazaratin), pse nuk kontribuoi sadopak për ta ulur këtë të keqe, por madje e thelloi? Çfarë ishte ai?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj le të kujtojmë, për ata që e kanë harruar, se si dhe pse u krye pastrimi i Lanës. Puna është se ashtu sikurse edhe pastrimi i kioskave në parkun “Rinia”, ai nuk u krye nga shteti kundër njerëzve që kishin uzurpuar pronën publike për interesin e tyre, por në bashkëpunim me ta, si operacion imazhi. Kush e ka ndjekur, si unë, me kujdes atë operacion, e di se shteti, domethënë Bashkia kryesisht, por edhe qeveria qendrore e asaj kohe, për të kryer këtë operacion, hyri në marrëveshje me shumicën e “të fortëve” që kishin zaptuar ato prona publike duke u dhënë privilegje të majme tjetërkund. Po ashtu, për të realizuar materialisht këtë operacion, nuk u përdorën paratë e taksave që kishin paguar qytetarët, pasi ato nuk mjaftonin, por u përdorën “gratis” ruspat dhe punëtorët e po kësaj kategorie njerëzish – miq të kryetarit të Bashkisë apo Kryeministrit, të cilëve iu dhanë, si shkëmbim, leje ndërtimi për të ngritur pallate atje ku pallate s’do të duhej të ishin ngritur kurrsesi. Me një fjalë, dua të them se tumori i Lanës nuk u luftua realisht dhe sinqerisht. Ai u përdor si operacion imazhi dhe, ndërkaq, lëshoi metastazat e veta shumë herë më të pariparueshme sesa barakat e Lanës, dhe njëherësh forcoi njeriun e ri të kapitalizmit tumoral shqiptar: që shkatërron interesin publik për interesin privat.
Imazhi pra shërbeu për të mundësuar dhe mbuluar përparimin e sistemit tumoral.
Ja pse, duke pasur parasysh edhe përvojën, gjithë duke e mbështetur aksionin e policisë në Lazarat, duhet ta ndjekim hap pas hapi me vigjilencë veprimtarinë e kësaj maxhorance përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar. Sepse ajo thënia e vjetër se e mira nuk matet me aktin e kryer (që mund të duket i mirë), por me qëllimin e tij (që mund të jetë i mbrapshtë), mbetet në fuqi edhe në këtë rast, aq më tepër kur e dimë se kemi të bëjmë me të njëjtin artist të imazhit.