(E PERDITESUAR) Vrasja makabre, me pare ishin vrare pastaj ishin djegur! Flet Policia qe ka identifikuar autorin
Kemi percjelle me heret lajmin e rende te vrasjes se dy personave ne Durres, te gjetur te djegur ne makine. Me poshte reagimi i plote i Policise qe tregon se tashme ka rene ne gjurmet e autoresise.
Policia flet zyrtarisht mbi ngjarjen
Më datë 20.02.2014, ora 22.07, morëm njoftim se në lagjen Nr.14 Durrës po digjej një automjet. Në vend u dërguan shërbime zjarrfikës të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit. U konstatua djegia e autoveturës Benz me targa AA930DJ; mjet brenda së cilit, në bagazhin dhe sediljen e pasme të tij, ndodheshin trupat e pajetë të dy shtetasve.
Grupi Hetimor filloi kryerjen e veprimeve të para. Nën drejtimin e drejtuesve të strukturave policore të Qarkut dhe Prokurorisë së Rrethit Durrës shërbime policie vijuan me hetime në vazhdim të së cilave u identifikuan kufomat e shtetasve sipas identiteteve të mëposhtme:
1-Shaban Babasi, 27 vjeç, banues në Fshat Fushë Krujë, i padënuar më parë.
2-Albert Kasalla, 32 vjeç, banues në Fshat Fushë Krujë, i padënuar më parë.
Lidhur me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes u shoqëruan e pyetën në Polici 36 persona që kishin dijeni mbi hetimet në fjalë.
Puna intensive hetimore e ndërmarrë përgjatë gjithë natës dhe ditës së sotme çoi këtë strukturë drejt identifikimit të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Odise Verbofshi, 32 vjeç, banor i lagjes Nr.14 Shkozet Durrës, i padënuar më parë, i cili është shpallur në kërkim nga ana jonë dhe po me intensitet kanë vijuar e po kryhen kërkime për kapjen e tij.
Nga tërësia e veprimeve të para të ndërmarra nga struktura për Krimet e Rënda Durrës rezultoi se dy shtetasit në fjalë ishin vrare paraprakisht me armë zjarri dhe më pas ishin transportuar për t’u djegur nga autori i ngjarjes së bashku me automjetin në funksion të fshehjes së gjurmëve e provave.
Gjithashtu rezulton se vrasja e dy shtetasve ka ndodhur brenda ambienteve të banesës së autorit në Shkozet, me armë zjarri pistoletë.
Paraprakisht dyshohet se motivi i kësaj ngjarje është prishja e pazarit lidhur me lëndën narkotike të llojit Kanabis Sativa.
Krahas provave të tjera, në banesën ku ka ndodhur krimi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe:
-74 kg Kanabis Sativa e ndarë në pako, e stivuar në rafte në ambientet e banesës
-1 pistoletë e markës Ekol Special, e kalibrit 9 mm
-1 pistoletë me krëhër, e markës Lady K Italy, e kalibrit 8 mm
-1 krëhër pistolete me një fishek në të
Odise Verbofshi është shpallur në kërkim si i dyshuar për ngjarjen e rëndë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose me shume personave”, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Prodhim e shitje e lendeve narkotike” parashikuar nga nenet 79/dh, 25, 278/4 dhe 283/2 të Kodit Penal.
Aktualisht nga strukturat e Drejtorise Policise Qarkut Durres po punohet për kapjen e tij ne bashkëpunim te ngushtë edhe me policinë e rretheve të tjerë e Policinë Kufitare; dokumentimin e plote ligjor te ngjarjes mbi mundësinë e përfshirjes edhe te personave te tjere si bashkepunetore ne kryerjen e krimit.