Europride/ Çfarë po ndodh në Beograd?

Isa Myzyraj – Beograd
Qeveria autoritare e Serbisë ka ndaluar të martën një shëtitje të planifikuar për të shënuar ‘EuroPride 2022’ në Beograd, duke përmendur një “rrezik dhune” pasi grupet e krahut të djathtë anti-LGBT njoftuan se edhe ata do të marshonin nëpër kryeqytetin serb.
Të dy ngjarjet u planifikuan për të shtunën e 17 shtatorit, por Ministria e Brendshme tha se të dyja janë ndaluar nga autoritetet.
Menjëherë pasi policia u dorëzoi zyrtarisht shkresën e anulimit të EUROPRIDE organizatorëve, ata thanë se “do të përdorin të gjitha mënyrat për ta shfuqizuar këtë vendim”.
Presidentja e EuroPride, Kristine Garine tha se “Ndalimi i Krenarisë është antikushtetues”.
“Është vendosur disa herë nga gjykata serbe. Ndalimi do të apelohet në gjykatë dhe do të anulohet.”-shkroi ajo në Tëitter.
Ministria tha se ka “rrezik të lartë të sigurisë për pjesëmarrësit, por edhe për sigurinë e qytetarëve të tjerë”. Kjo ministri shtoi se pas një vlerësimi të sigurisë, kanë ardhur në përfundim se mbajtja e një marshi të tillë do të “paraqiste rrezik për dhunë, shkatërrim të pronës dhe forma të tjera të prishjes së rendit publik në një shkallë të gjerë”.
Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, shtoi se “në situatën aktuale gjeopolitike dhe tensionet në rajon, përplasjet e pakuptimta në rrugët e Beogradit do të bënin që pozicioni i shtetit tonë të ishte më i vështirë dhe do të vinin në rrezik sigurinë e pjesëmarrësve në marsh, por edhe të qytetarëve të tjerë”.
Ndalesa për mbajtjen e marshit vjen disa ditë pasi protestuesit kundër Paradës së Krenarisë marshuan në Beograd. Protesta u organizua nga grupet e të djathtës ekstreme, me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe.
Por, organizatorët e ngjarjes panevropiane për komunitetin LGBT, EuroPride, kanë nisur këtë ngjarje më 12 shtator në Serbi, me vendosjen e flamujve me ngjyra të ylberit.
Ceremonia hapëse e javës së EuroPride kaloi pa incidente, pavarësisht protestave të grupeve fetare dhe nacionaliste dhe paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili muajin e kaluar tha se kjo ngjarje nuk do të mbahej.
“EuroPride 2022 ka nisur. Kolegët e mi nga EuroPride janë këtu në këtë ngjarje historike”, shkroi në Tëitter, Kristina Garina, presidente e shoqatës së organizatorëve të EuroPride.
“Faleminderit BelgradePride për përkushtimin tuaj për organizimin e ngjarjes”, shtoi Garina.
Në lidhje me vendimin e autoriteteve të Serbisë për anulimin e Europride ka reaguar edhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken i cili ka thënë se “liritë e tubimit paqësor dhe shprehjes janë komponentë esenciale për një demokraci të shëndoshë”.
“Të drejtat e komunitetit LGBTQI+ janë të drejta të njeriut”, shkroi Blinken në një postim në Tëitter./ HistoriaIme