Facebook vendosi të kundërshtojë thirrjet publike për të miratuar kufizime të reja të rëndësishme në reklamat politike përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke zgjedhur të prezantojë ndryshime të vogla për t’u dhënë përdoruesve një masë kontrolli mbi reklamat që ata shohin.
Pas një debati të gjerë publik, ku drejtuesi i Facebook Marc Zuckerberg u detyrua dhe të përgjigjet në një komision hetimor të ndërmarrë nga Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, rregullat e reja të kompanisë do të vazhdojnë të lejojnë politikanët të bëjnë pretendime të rreme në postimet e tyre.
Shqetësuese për një grup përfaqësuesish demokrat në Kongres ishte promovimi i postimeve që përmbajnë pretendime të rreme përmes pagesës, të cilat sipas Zuckerberg mbeten në ndërgjegjen personale të përdoruesit dhe duhet të ndikohen vetëm nga aftësia e tyre për të dalluar faktin nga pretendimet e rreme apo fake news.
Prej kohësh, kandidatë politikë në SHBA janë denoncuar, për shkak se dërgojnë mesazhe të pavërteta përmes llogarive të tyre në Facebook, duke promovuar këto pastime dhe duke ndikuar direkt në pjesëmarrjen apo rezultatin e zgjedhjeve dhe opinionin e votuesve.
Sipas analistëve Facebook anoi me fushatën për rizgjedhjen e Presidentit Trump dhe strategjistët e tjerë politikë, si demokratë, ashtu edhe republikanë, të cilët kishin luftuar ashpër prapa skenave për të mbajtur mjetet dixhitale që i kanë ndihmuar ata të gjejnë mbështetës të rinj, të kërkojnë donacione dhe të mobilizojnë votuesit në ditën e zgjedhjeve.
Kandidatët kryesorë demokratë për president dhe disa përfaqësues në Kongres, përfshirë edhe senatoren Elizabeth Warren, reaguan duke shprehur shqetësimin se Facebook në thelb i kishte hapur rrugën Trump-it për të gënjyer përdoruesit e tij.
Facebook tha se do t’u jepte përdoruesve një zgjedhje për të parë më pak reklama në lidhje me kandidatët politikë. Përdoruesit gjithashtu mund të zgjedhin për të ndaluar shikimin e reklamave nga fushatat e veçanta dhe entitetet e tjera, përfshirë bizneset, që i synojnë ata duke përdorur lista me adresat e tyre të postës elektronike.