Fotografja e AP, Anja Niedrighaus, vritet ne Afganistan
Fotografja e njohur gjermane e luftës Anja Niedrghaus, e cila i kishte shpëtuar rreziqeve në Sarajevë, Beograd, Kosovë, dhe vende tjera të botës është qëlluar për vdekje nga një polic në Afganistan. Para se të qëllonte fotografen, polici ka bërtitur “Allahu Akbar”.
Fotografja veterane e Associated Press, Anja Niedrighaus, është vrarë në Afganistan të premten ndërsa një reportere e kësaj agjencie është plagosur, kur një polic afgan ka gjuajtur me armë zjarri, derisa ato po qëndronin ulur në veturë në Afganistanin Jugor.
48 vjeçarja, Anja Niedringhasus një fotografe me famë botërore, ka vdekur menjëherë sipas një dëshmitari i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes.
Kathy Gannon, korrespondente e AP e cila për shumë vjet ka qenë shefe e zyrës së AP’së në Afganistan, është qëlluar dy herë ndërsa aktualisht tani është duke u trajtuar ndërsa raportohet të jetë në gjendje stabile.
Sipas AP, dy reporteret janë qëlluar nga një komandat i policisë me emrin Naqibullah i cili paraprakisht ka bërtitur “Allahu Akbar” me pushkë automatike A4 -47. Më pas ai u është dorëzuar policëve tjerë.
Niedringhaus ka mbuluar konfliktet duke filluar që nga Ballkani, që nga Kuvajti, Iraku, Libia, Gaza dhe West Bank gjatë 20 viteve të fundit.
Ajo po ashtu ka mbuluar edhe ngjarje sportive ndërsa ka marrë çmime të ndryshme për punën e saj.
Bashkë me një ekip të AP’së ajo ka fituar çmimin Pulitzer me një fotografi ekskluzive të luftës në Irak.
Niedringhaus ishte plagosur disa herë gjatë karrierës së saj. Gjatë luftës ajo ishte goditur nga një plumb snajperi, ndërsa më 1997 në Beograd derisa ka mbuluar demonstratat ajo ishte goditur nga një veturë e policisë që ia kishte thyer këmbën.
Ndërsa thuhet se vetura e saj edhe gjatë luftës së Kosovës ishte goditur nga granata ndërsa më 1999 në Shqipëri bashkë më një grup gazetarësh ajo ishte qëlluar gabimisht nga bombat e NATO’s./Gazetaexpress.com/