Franca miraton ligjin që ndalon ‘terapinë e konvertimit’ për personat LGBTQ

Franca ka një ligj të ri që ndalon të ashtuquajturat terapi konvertimi dhe autorizon burgim dhe gjoba për praktikuesit që përdorin praktikën e diskredituar shkencërisht për të tentuar të ndryshojnë orientimin seksual ose identitetin gjinor të personave LGBTQ.
Asambleja Kombëtare miratoi ligjin e ri njëzëri, duke votuar 142-0 mbrëmjen e së martës.
Legjislacioni përfshin dënime penale për njerëzit që janë dënuar për përpjekje për të “konvertuar” personat LGBTQ në heteroseksual ose pritshmëri tradicionale gjinore.
Ligji hap gjithashtu mundësinë që aktivistët të ngrenë padi civile në emër të viktimave, një mundësi e mbështetur nga parlamenti si një përparim për njerëzit që hezitojnë ose nuk janë në gjendje të lajmërojnë vetë policinë.
Ligjvënësi Laurence Vanceunebrock, i cili ndihmoi në drejtimin dhe miratimin e ligjit në parlament, tha se ligji do të synojë të sanksionojë “të gjithë ata njerëz që barazojnë një identitet ose një orientim seksual me sëmundjen”.
“Nuk ka asgjë për të kuruar,” i tha ajo Asamblesë Kombëtare.
Ministrja e qeverisë franceze për barazinë dhe diversitetin, Elisabeth Moreno, i përshkroi të ashtuquajturat terapi të konvertimit si “barbare” dhe u tha ligjvënësve se vuajtja që ata shkaktojnë “shpesh lë shenja të përhershme në trup dhe mendje”.
Sipas ligjit të ri, përpjekjet e vazhdueshme “që synojnë të modifikojnë ose qortojnë orientimin seksual ose identitetin gjinor” dhe që ndikojnë në shëndetin fizik ose mendor të viktimave dënohen me deri në dy vjet burg dhe 30,000 euro (34,000 dollarë) gjobë.
Dënimi mund të rritet deri në tre vjet burgim dhe gjoba prej 45,000 euro (50,000 dollarë) për përpjekjet që përfshijnë të mitur ose njerëz të tjerë veçanërisht të cenueshëm.
Praktikimi i terapisë për të ndryshuar orientimin seksual të një personi tashmë është i ndaluar në shumë shtete të SHBA-së dhe në territorin e Karaibeve të SHBA-së të Porto Rikos.
Ligji do të hyjë në fuqi në 14 ditët e ardhshme me nënshkrimin e Presidentit Emmanuel Macron
“Le të jemi krenarë për këtë”, shkroi lideri francez në Twitter. “Sepse të jesh vetvetja nuk është krim.”/ Përktheu në Shqip nga France24 Anxhela Kokoshi- HistoriaIme