Gruaja ne vasken e Hitlerit…
Një grua është ulur në një vaskë dhe po fërkon shpinën. Gjithçka normale. Por nëse sheh me kujdes, pranë vaskës gjendet edhe portreti i njeriut, të cilit i përket vaska: Adolf Hitler. Lee Miller bëri një banjë në banesën e diktatorit në Mynih, ditën kur ai kreu vetëvrasje në bunkerin e tij në Berlin. Pikërisht më 30 prill 1945.
Fotoja u bë e famshme në mbarë botën dhe doli në shumë ekspozita.
E lindur në vitin 1907 në Nju Jork, Lee Miller ishte kërcimtare, modele dhe më pas reportere e luftës. Një koleg e quante një shpirt i lirë amerikan në trupin e një perëndeshe greke.
Por ajo nuk ishte një bionde budallaqe.
Ajo ka dokumentuar vuajtjet në kampet e përqendrimit të nazistëve. Pak orë pasi ishte në kampin e Dakaut, ajo bashkë me kolegun dhe të dashurin David Scherman shkoi në banesën e Hitlerit në Mynih.
Së fundmi është hapur një ekspozitë me fotografitë e vetë asaj. Në shumë portrete, ajo është nudo.
Biri i saj, Antony Penrose rrëfen një detaj të hidhur. Fotot nudo ia ka realizuar në të shumtën e rasteve babai i saj. Ai e detyronte që të zhvishej vazhdimisht përpara tij. Kur ishte e vogël, vetëm shtatë vjeç, ajo u përdhunua nga një i afërm.
Jeta e saj ka qenë një dramë derisa u bë 19 vjeç.
Lee Miller vdiq në vitin 1977, në moshën 70 vjeçare. Pas Luftës së Dytë Botërore jeta nuk kishte qenë shumë e lehtë për të. Ajo vuajti shumë nga depresionet.