Hapja e dosjeve, do verifikohen politikane, drejtues te medias, krere fetare e profesore
“Hapja e dosjeve të sigurimit është një domosdoshmëri sepse do të ndihmonte në kalimin e ngërçit politik dhe të ardhmen e vendit. Nëse flasim për dekomunistizim, një fjalë të cilën ne shqiptarët nuk ia kemi mësuar ende domethënien, atëherë le ta fillojmë këtë gjë nga katharsisi që i bëjmë vetes.” Kështu argumenton kryetarja e Grupit për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, nismën e shoqërinë civile për hartimin e një projektligji për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Për draftin kanë bashkëpunuar dhe figura të njohura shqiptare dhe ekspertë ndërkombëtarë. Projektligji i hartuar sipas ligjit gjerman të lustracionit ka parashikuar që verifikimi të bëhet për të gjithë ata që mbajnë poste dhe vende kyçe në politikë dhe institucione, nga Presidenti i Republikës, deri te drejtorët e drejtorive, gjyqtarët, prokurorë, etj. Ballauri deklaron se në politikë ka ende persona me dosje, Ajo shprehet me bindje se dosjet janë fshehur nga politika, madje edhe janë dëmtuar prej saj.