Jeta baritore e shqiptareve te Odeses
Piotr Kirpik-ut i pëlqen të bëjë shaka duke thënë se në fshatin e tij ukrainasit janë minoritet etnik. Gjysma e 2800 banorëve të fshatit Zhovtneve janë shqiptarë të vendosur aty prej 200 vjetësh. Ata jetojnë më së shumti në bregun lindor të lumit Karasulak. Ana tjetër e bregut është e populluar më së shumti nga Gagauzët, një grup turk etnik që përbën një njësi autonome në Moldavi, përtej kufirit nga këtu. Fshati është strehë e 11 grupeve etnike, duke përfshirë moldavë, rusë, bjellorusë, bullgarë etj.
Kirpik, i cili është gjysmë shqiptar dhe gjysmë gagauz thotë se flet lirshëm pesë gjuhë. Në pamje të parë fshati duket si çdo fshat tjetër në rajonin e Odesës. Por një pamje më e kujdesshme zbulon shtëpi më të stërgjatura dhe të mbështetura mbi rradhë shtyllash anash. Këto janë banesat tradicionale shqiptare. Ato ngjajnë me një varg të gjatë të dhomash, njëra pas tjetrës.
“Ka ndryshime të mëdha kulturore mes perëndimit dhe jugut të Ukrainës”, thotë Kirpik. “Ata nderojnë Stepan Bandera-n ose Roman Shkhevych. Ndërsa ne nderojmë të rënët e luftës në 1941-1945”.
Kirpik beson se Ukraina duhet të mbesë e bashkuar në kufijtë ekzistues, por ai gjithashtu mendon se ideja e federalizimit ka kuptim. Gjithsesi, federalizimi, për atë dhe banorët e tjerë lokal do të thotë më shumë autonomi për rajonin, zgjedhje e autoriteteve lokale dhe më shumë kontroll mbi buxhetin e komunitetit.
Ukrainasit dinë pak për komunitetin shqiptar, i cili përbëhet nga shifra domethënëse në Odesa. Gjithashtu të njohur me një emër tjetër, Arnautë, ata i kanë vënë emrin dy rrugëve në qytetin e Odesës, Arnautska e Madhe dhe e Vogël. Gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2001 në Ukrainë ishin vetëm 3000 shqiptarë, por pjesa më e madhe janë të vendosur në rajonin e Odesës.
Eksperti politik nga Odesa, Artem Filipenko u shpreh se minoritetet e këtij rajoni kanë mbështetur tradiconalisht Partinë e Rajoneve të presidentit tashmë të rrëzuar, Viktor Yanukovych dhe gjithashtu partinë Komuniste. Sipas tij ata kanë qenë më së shumti pro-rusë.
Kirpik, i cili është një anëtar i partisë së Rajoneve thote se tani ai nuk e di se cilën parti të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Partia e Rajoneve është në krizë të thellë. E pllakosur nga lufta e brendshme, popullariteti i saj ka shënuar kulmin e rënies dhe katër prej anëtarëve të saj do konkurrojnë për postin e presidentit më 25 maj.
“Në fillim isha gati të votoja për kandidatin Mykhailo Dobkin të partisë së Rajoneve, por pastaj lexova programin e tij dhe nuk më pëlqeu”, shprehet Kirpik.
Maria Bitova, një tjetër shqiptare që drejton një librari dhe muzeun Shqiptar të Etnologjisë në Zhvteneve na tregon të ekspozuar aty poçat për gatimin e “bryndza” (një lloj djathi i bërë vetë me djathë deleje), gërshërë qethjeje, këpucë barinjsh dhe një statujë të Skëndërbeut, heroi kombëtar i Shqipërisë.
Bitova thotë se fëmijëve vendas u pëlqen të vizitojnë muzeun sepse vetëm aty mund të flasin shqip. “Ne nuk mbajmë mend shumë prej fjalëve që përdornin gjyshërit tanë”, thotë ajo.
Kirpik thotë se gjuha shqiptare ka evoluar, por ky komunitet lokal ka ruajtur versionin që paraardhësit e tyre kanë sjellë në Ukrainë. “Prandaj kur njerëz nga Shqipëria erdhën të na vizitojnë ne nuk merreshim vesh dot, por më vonë gjetëm mjaft fjalë të përbashkëta”, tha ai.
Svitalana dhe Dmytro Stasko janë ukrainas por jetojnë në një prej shtëpive më të vjetra ekzistuese në fshat, bashkë me fëmijët e tyre. Svitlana Statsko erdhi këtu kur ishte 9-vjeçe. “është mirë të jetosh këtu mes shqiptarëve, ata janë njerëz të arsyeshëm dhe shumë punëtorë”.