Kauzat e verteta kane vdekur?
Nga Koloreto Cukali
A e keni pyetur veten ndonjëherë se pse Shqipëria nuk funksionon? Unë po. Thuajse në çdo shkrim timin, përpiqem të gjej përgjigjen e kësaj pyetjeje, pse ky vend është kaq jo-funksional dhe kaq anti-europian në vlera. Dhe mu teksa po përpëlitemi të ‘hyjmë’ në Europë. Kam frikë se integrimi nuk është veçse një miks dëshire të pandërgjegjshme për të mos u ndjerë si dele e zezë dhe nevoje për të gjetur një tajë që të na ushqejë. Shqipëria, përkundrejt optimizmit dehës të disa pak vetëve që nuk u duket “edhe aq keq”, përmbledh një tufë vesesh e anti-vlerash, që të gjithë i dimë. Jo për t’u zgjatur, por sa për formalitet integrues, mund t’i përmbledhim me 2 rreshta: “hajdutëri në nivel individual e shtetëror, dhunim i vazhdueshëm të pambrojturve, dhunim jashtë çdo principi e ligji i punëtorëve, dhunë ndaj femrës e fëmijëve, aborte selektive, mjerim i pafund që çon në vetëvrasje, mungesë shprese, përvetësim e zhveshje prone, shkatërrim trashëgimish kulturore e vlerash urbanistike, abuzim sistematik i posteve shtetërore, vjedhje zgjedhjesh, drejtësi e përlyer deri në sqetulla me krimin”; dhe jemi të tërë njësoj. Korruptohu, ose vdis.