Konferenca e Berlinit/ Fule: Duam ta shohim Ballkanin Perendimor ne BE
“Barroso foli qartë. Ne duam të shohim Ballkanin Perëndimor të bashkohet me Bashkimin Europian”.
Ky është komenti i Stefan Fyle, Komisioneri për zgjerimin e BE-së, pas përfundimit të samitit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor të organizuar dje me nismën e kancelares gjermane Angela Merkel.
Ballkani Perëndimor hyn në një proces katërvjeçar të bashkëpunimit dhe asistencës së ngushtë nga ana e vendeve të Bashkimit Europian. Gjermania, Austria dhe Franca janë shtetet që do ta menazhojnë dhe monitorojnë këtë proces. Ky është dhe përfundimi i deklaratës zyrtare të Konferencës së Berlinit që u zhvillua sot me pjesëmarrjen e Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, Kancelari i Austrisë, Ëerner Faymann, Kreut të Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso dhe krerëve të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Njëqind vjet pas Fillimit të Luftës së Parë Botërore, krerët e qeverive, ministrat e Jashtëm dhe ministrat e Ekonomisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësuesve të Komisionit Europian, vendeve të ardhshme mikëpritëse Austrisë dhe Francës u takuan në Berlin më 28 Gusht 2014 për Konferencën e parë të Ballkanit Perëndimor.
Në deklaratë thuhet “biem dakord se Konferenca do të sigurojë një kuadër për një periudhë 4 vjeçare, gjatë së cilës ne do t’i çojmë më tej përpjekjet tona për të bërë një progres real në procesin e redormave, zgjidhjen e çështjeve kryesore dypalëshe dhe të brendshme,
Kemi vendosur bashkërisht që të takohemi në të njëtin format çdo vit gjatë katër viteve të ardhshme në mënyrë që të zbatojmë axhendën e miratuar në takimin e sotëm dhe të mbështesim këtë synim nëpërmjet projekteve të tjera specifike.
Kancelari Federal i Austrisë është ofruar të mirëpresë Konferencën e në vijim në vendin e tij në vitin 2015. Ky vullnet do të ofrojë një mundësi për të matur rezultatet fillestare.
Ne planifikojmë të vazhdojmë punën tonë në çështjet e një rëndësie të madhe për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor mbi baza të vazhdueshme në konferencat e mëvonshme që do të mbahen deri në vitin 2018”.
Marrë nga gazetatema.net