Java e shkuar u shënua nga Konferenca e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Klimën, e cila u mbajt në Madrid me shpresa të shumta për arritjen e marrëveshjeve konkrete që do të sillnin rezultat.
Deri në fillim të konferencës, Marrëveshja e Parisit për Klimën vijonte të mbetej në letër, por edhe pas mbylljes së saj, bisedimet e stërzgjatura mes 200 delegatëve nuk arritën të sjellin një vendim konkret për implementimin e saj.
Negociatorët vendosën të shtyjnë për vitin e ardhshëm diskutimet mbi mënyrën e rregullimit të tregjeve botërore të karbonit, ndërsa arritja e vetme e konferencës gati dy javore ishin deklaratat e shumta ambicioze të delegatëve mbi reduktimin e gazrave serë që ngrohin planetin dhe përshpejtojnë efektet e ndryshimeve klimaterike.
Këto deklarata u adresuan dhe nga aktivitja Greta Thunberg, e cila pak ditë përpara mbylljes së punimeve të konferencës në Madrid u shpall dhe si Personazhi i Vitit nga revista amerikane Time.
Një numër vendesh të pasura janë zotuar të ulin emetimet e gazit karbonik me kaq e aq përqind apo kanë deklaruar se do të kthehen në vende neutrale ndaj karbonit në kaq e aq vite. Kjo mund të duket shumë shpresëdhënëse në pamje të parë, por edhe pse qëllimet janë të mira, sërish kjo nuk është një udhëheqje e mirë, kjo është një keq udhëheqje.
Ajo kritikoi qeveritë e shteteve të mëdha, që janë dhe ndotësit më të mëdhenj në planet se në premtimet e tyre për klimën nuk marrin në konsideratë industritë e rënda, aviacionin dhe industritë e tjera ndotëse që sjellin të ardhurat kryesore për ekonomitë e tyre.
Konferenca u zgjat gjatë fundjavës me negociata të pandërprera dy-ditore, që prodhuan vetëm një deklaratë të paqartë, e cila u lexua nga kryesuesja e konferencës Carolina Schmidt, Ministrja e Mjedisit e Kilit. Ndër të tjera, në këtë deklaratë u bëhet thirrje vendeve ratifikuese së marrëveshjes të përmirësojnë premtimet e tyre aktuale për të zvogëluar emetimet e gazrave serë. Kjo është e nevojshme për të qenë në përputhje me objektivin e Marrëveshjes së Parisit për të shmangur një rritje të temperaturës me më shumë se 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit.
Deri më tani, shkencëtarët parashikojnë një rritje prej tre deri në katër gradë Celsius, me pasoja potenciale dramatike për shumë vende e me impakt negativ direkt mbi vendet më të varfëra të globit.
Në konferencë morën pjesë dhe organizata ndërkombëtare si Greenpeace, që hodhën akuza të forta ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe asaj të Brazilit për ambicien e tyre për sabotimin e një vendimmarrjeje botërore për klimën.
Ky është samiti i fundit ku Shtetet e Bashkuara morën pjesë, pas vendimit të presidentit Trump për tu tërhequr përfundimisht nga Marrëveshja e Klimës së Parisit.
Bisedimet u shoqëruan herë pas here nga protesta të zemëruara nga grupe indigjene dhe mjedisore, brenda dhe jashtë vendit. Demonstratat reflektuan zhgënjim në rritje, veçanërisht midis të rinjve, mbi ritmin e ngadaltë të përpjekjeve të qeverive botërore për të frenuar ndryshimet klimatike.
Gjithçka mbetet tashmë për tu diskutuar në Samitin e ardhshëm të klimës që pritet të mbahet në Glasgou të Skocisë.
Burimi i fotos: Reuters