Kur humori i Antenes te TemA kthehet ne realitet: Fullani do te gjykohet ne apel nga Gjin Gjoni
“Kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit për Guvernatorin e BSH-së, Ardian Fullani, do të gjykohet nga gjyqtari Gjin Gjoni, i cili është akuzuar nga ILDKPKI për fshehje të pasurisë”, shkruan TemA, një gazetë e njohur për qëndrimet e saj kritike ndaj të dyve, edhe Fullanit dhe Gjin Gjonit.
“Sipas disa dokumenteve të siguruara nga A1 Report, rezulton se në periudhën 16 shtator deri më 30 shtator 2014, gjyqtari Gjin Gjoni është caktuar në kalendarin e masave të sigurisë, si relator në gjykim, së bashku me dy anëtarët e tjerë Metush Saraci dhe Hysni Demiraj.
Që prej dhënies së vendimit nga gjykata për arrestin me burg për Fullanin, avokati i tij njoftoi se do të apelojë vendimin , dhe në fakt kërkesa për shqyrtimin e masës së sigurisë është dorëzuar prej disa ditësh nga avokati mbrojtës i Fullanit, Maks Haxhia.
Ende nuk është shpallur zyrtarisht data se kur do të shqyrtohet kjo kërkesë në Gjykatën e Apelit.
Më datë 7 shtator 2014 gjykatësja Blerina Muça, caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fullanin, duke lënë afat 10 ditë për apelimin e masës së sigurisë.
E sipas kalendarit, rezulton se afati 10-ditor korrespondon me datën 17 shtator, kohë në të cilën kryesues në trupin gjykues është caktuar gjyqtari Gjin Gjoni.
Gjin Gjoni akuzohet për fshehje pasurie me vlerë rreth dy milionë euro dhe deklarim të rremë të pasurisë, çështje që i ka kaluar Gjykatës së Lartë për shqyrtim”, shkruan TemA.