Luftë për një “grusht” votash, ja të gjitha incidentet që ndodhën gjatë numërimit të votave
“Vendoret 2015”, megjithëse në tërësi u konsideruan si zgjedhje të qeta dhe pozitive, sërish nuk munguan incidentet sidomos në rrethe dhe në periferi të Tiranës. Një përplasje e tillë ka ndodhur edhe dje në Peshkopi, ku në debat për numrin e votave janë përfshirë deputetët e zonës, dhe më pas ka qenë e detyruar që të ndërhyjë policia për të mos agravuar sherri.
Peshkopi
Dy kandidatët për Bashkinë e Dibrës, Shukri Xhelili i ASHE-së dhe Ilir Krosi i APPD-së, i ndante nga njëri-tjetri një grusht votash, pas 73 kutive të numëruara. Që dje në mëngjes dy kandidatët e kanë parë veten herë njëri dhe herë tjetri në avantazh. Pikërisht ky rezultat i ngushtë ka sjellë tensionimin e situatës rreth orës 17:00 në KZAZ-në e kësaj bashkie, ku është kërkuar ndërhyrja e policisë, për largimin e të gjithë personave pa mjet identifikimi. Në këto kushte kryetari i KZAZ-së e ka ndërprerë procesin e numërimit pa afat, deri sa të qetësohej situata, ndërkohë që socialistët kanë fajësuar demokratët për tensionimin e situatës.
“Ka pasur momente tensioni të krijuara nga numëruesit e PD me pretendime të paqena për të bërë vota të pavlefshme edhe aty ku nuk ishin”, deklaroi deputeti socialist, Ulsi Manja. Por demokratët dhanë një tjetër version. Sipas tyre, situata u tensionua nga jashtë grupeve të numërimit. “Një nga vëzhguesit këtu në panelin e numërimit, u sul për të kapur një fletë votimi dhe krijoi një rrëmujë në procesin e numërimit. PD është në avantazh dhe nuk lejon që të manipulohet rezultati. Rrëmuja erdhi nga jashtë rrethit të numërimit. Numëruesit e PD kërkojnë korrektësi. Jemi në avantazh dhe vazhdojmë ta thellojmë këtë avantazh”, tha Sherefedin Shehu, deputet i Partisë Demokratike.
Kukës
Ndërkohë një tjetër situatë tensionimi ndodhi dje në Kukës, ku 6 persona ishin liruar nga paraburgimi, por nuk gjetën emrin në listë. Pas kësaj situata u qetësua dhe personat në fjalë u rikthyen në burg për të votuar; në Qendrën e Votimit, që ndodhej në dhomën e Paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, për të shfrytëzuar të drejtën e votës. “Ata kanë ardhur me vendim gjykate dhe të pajisur me kartë identiteti.
Kanë votuar 6 persona, që kanë dalë jashtë dhe janë kthyer brenda. Janë liruar, por kanë pasur emrin në listën e votuesve këtu, ndaj dhe kanë ardhur dhe kanë votuar”, tha Edmond Braho, kryetar i Qendrës së Votimit 636/1. Në dhomën e Paraburgimit pranë Policisë së Qarkut, në Kukës, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 26 persona nga 33 gjithsej, ndërsa procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë. “Numri i votuesve nga burgu apo Qendra e Votimit 636/1 ka qenë 33. Nga këta kanë votuar vetëm 26 persona. Nuk ka pasur asnjë problem, ka shkuar shumë mirë mbarëvatja e procesit zgjedhor”, tha më tej Edmond Braho.
Berat
Ndërkohë në Berat grindje ka pasur lidhur me vulat. Ka qenë PD e cila ka kundërshtuar një kuti, duke thënë se nuk korrespondojnë vulat. Komisionerët e Partisë Demokratike në Berat kanë kërkuar pavlefshmërinë e kësaj kutie. Kjo ka sjellë tensionimin e situatës në ambientet e KZAZ-së. Demokratët thanë se kutia e mësipërme nuk është shoqëruar drejt Vendeve të Numërimit të Votave nga ana e Policisë, por nga militantë partiakë dhe hodhën dyshime se gjatë transportit mund të jetë hapur. Por në fund është vendosur që kjo kuti t’i dërgohet KQZ-së, e cila do të marrë një vendim për të.
Tepelenë
Në Tepelenë është bllokuar dje procesi numërimit të votave. Tensioni dhe incidentet mes numëruesve kanë shkaktuar ndërprerjen e procesit të numërimit të votave në orët e para të mëngjesit; ku më pas Partia Demokratike ka tërhequr numëruesit e saj. Por gjithsesi situata është qetësuar më vonë.
Bulqizë
Ndërkohë një tjetër rast tensionimi ka ndodhur dje në Bulqizë, ku kutia e votimit e QV 1067 e shkollës fillore të fshatit Gjurë në Bulqizë është “marrë peng” gjatë natës; dhe nuk dërgohej në KZAZ. LSI e PD akuzuan njëra-tjetrën, ndërsa kutia brenda në makinë është rrethuar nga militantë të të dy kampeve. Ka patur edhe të shtëna armësh madje. Policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në dorë situatën. Ky rast është denoncuar dje nga vetë qyterarët, pranë platformës dixhitale Za’lart.
Maliq
Ndërkohë dje në Maliq është ndërprerë numërimi i votave në KZAZ Nr. 68. Prezenca e madhe e simpatizantëve të forcave politike ka detyruar sekretarin Mateo Bardhi të ndërpresë procesin dhe të kërkojë ndërhyrjen e forcave të policisë.Gjithashtu një tjetër rast është raportuar ditën e zgjedhjeve nga rrethet; ku në komunën Porocan është prishur autobuzi që po transportonte kutitë e votimit në këtë komunë. “Autobusi ngeci në zonën e Kabashit,” ka raportuar një komisioner për Za’lart. Ndërkohë në Shkodër ditën e zgjedhjeve janë vendosur materiale prapagandistike në afërsi të QV-së në kopshtin “Tom Alimhilli”. Po ashtu në rrjetet sociale qytetarët e Tiranës kanë postuar foto ku dëshmojnë se boja hiqet lehtësisht nga gishti i dorës.
Presion votuesve
Ndërkohë vetë qytetarët kanë denoncuar faktin se ditën e zgjedhjeve në QV-në nr 2595/1, të gjithë votuesve iu është ushtruar presion psikologjik nga ana e simpatizantëve të Partisë Demokratike. Madje qytetarët kanë nisur edhe foto në Za’lart, ku shihet qartë edhe një makinë me logon e kanditatit të PD-së.
Probleme me listat
Në QV-në nr 2601 dhe QV-në nr 2600 në shkollën “Rilindja” në Gramsh janë ngatërruar listat me njëra-tjetrën dhe qytetarëve iu duhej gjysmë ore për të votuar. Gjithashtu kodi i zgjedhësve në lista nuk korrespondonte me emrin e votuesit gjë e cila solli shumë ngatërresa.
Puka
Puka e cila ishte futur në projektin pilot të KQZ-së për raportimin online të të dhënave të procesit zgjedhor duket se ka dështuar në këtë proces. Pajisjet e raportimit nuk funksionojnë në zonat ku mungon interneti.
Kamzë
Partia Socialiste ka ndryshuar disa nga komisionerët e saj në Kamëz dhe Paskuqan, pikërisht në prag të zgjedhjeve të 21 Qershorit. Bëhet fjalë për komisionerët në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve numër 27 dhe 28, të cilat i përkasin zonës së Kamzës dhe Paskuqanit.
Vlorë
KZAZ Nr. 83 në Vlorë pati përplasje mes Ministrisë së Arsimit dhe KQZ-së. KZAZ-ja Nr. 83 ishte caktuar në mjediset e shkollës “Ali Demi” kur në datën 19 qershor do të zhvillohej edhe provimi i fundit i maturës shtetërore, pra vetëm 2 ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Në ditët kur janë zhvilluar provimet personeli i KZAZ 83 nuk është lejuar të hyje në ambientet e shkollës duke pezulluar kështu veprimtarinë e përditshme të saj.