Një historik i shkurtër i lëvizjes LGBTI+

Një historik i shkurtër i lëvizjes LGBTI+
Lëvizja për të mbrojtur të drejtat e personave lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë, dhe interseksualë (LGBTI +) nisi kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një lëvizje për më shumë të drejta.
Kjo traditë filloi kur Presidenti Ulysses S. Grant nënshkroi ligjin për të Drejtat Civile të vitit 1871. Tani i njohur si legjislacioni i parë në botë që synonte të mbronte të drejtat e një klase të tërë personash. Statuti kërkonte të mbronte Afrikano-Amerikanët nga sulmet e Ku Klux Klan, një organizatë rraciste e bardhë.
Ndërsa industrializimi tërhoqi më shumë njerëz nga zonat rurale në qytete në fillim të shekullit të 20-të, komunitetet LGBTI + filluan të formoheshin në zonat urbane në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1924, Shoqata për të Drejtat e Njeriut me qendër në Çikago, themeluar nga aktivisti Henry Gerber, u bë organizata më e hershme e njohur për të drejtat e personave LGBTI+ në SHBA. Ajo u pasua nga Shoqëria Mattachine, organizata e parë kombëtare për të drejtat LGBTI+, në 1950 dhe nga “Bijat e Bilitis”, një organizatë për të drejtat e grave dhe vajzave lezbike, në 1955.

Në vitin 1962, Illinois u bë shteti i parë i SHBA-ve që dekriminalizoi marëdhëniet konsensuale brenda të njëjtës gjini.
Kryengritja e Stonewall, që filloi në 28 qershor 1969, shënoi një pikë kthese në përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e personave LGBTI +, duke zgjeruar një fushatë të udhëhequr nga një grup relativisht i vogël aktivistësh, në një lëvizje që u përhap në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Pas revoltës shoqërore gjatë dhe pas Stonewall-it, në vitin 1973 Shoqata Amerikane e Psikiatrisë hoqi homoseksualitetin nga lista e saj zyrtare e çrregullimeve mendore. Më pas, më 14 tetor 1979, Marshi Kombëtar në Uashington për të Drejtat e personave Lezbike dhe Gej, tërhoqi rreth 75,000 gej, lezbike, biseksualë, transgjinorë/e dhe aleatët e tyre heteroseksualë, duke vendosur të drejtat LGBTI + si një çështje kombëtare.

Gjatë 30 viteve të fundit, miliona njerëz kanë kuptuar se shumë prej njerëzve që njohin, fqinjët, kolegët, miqtë dhe anëtarët e familjes, janë pjesë e komunitetit LGBTI+. Kjo njohje, së bashku me portretizimet pozitive të njerëzve LGBTI + në TV dhe filma, kanë nxitur pranim më të madh shoqëror të personave LGBTI +, edhe pse në shumë vende të botës ky komunitet diskriminohet. Madje në disa vende është ende ilegal dhe mund të dënohesh me vdekje (Irani)
Sot, martesat brenda të njëjtës gjini janë të ligjshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara, në sajë të një vendimi historik nga Gjykata e Lartë e SHBA në 26 qershor 2015. Në atë datë, Gjykata e Lartë vendosi që të 50 shtetet e SHBA-ve duhet të ligjëronin martesat mes të njëjtës gjini si dhe të njohin martesat e kryera në shtete të tjera./Historia Ime