Nje person vdes ne gjykate. Trupi 1 ore ne korridor. Spitali: Kishim vetem nje mjek
Një person ka ndërruar jetë ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Korçës teksa priste masën e sigurisë për një të afërm.
Viktima është Ali Jaupllari 60 vjec, i afërm i një personi të akuzuar për trafik droge, teksa pritej të jepej masa e sigurisë së këtij të fundit. Trupi i 60-vjeçarit, ka qëndruar për më shumë se 55 minuta në korridorin e katit të dytë të Gjykatës së Faktit. Shkak është bërë vonesa e shërbimit ambulator edhe pse spitali i Korcës nuk është më shumë se 4 minuta në këmbë larg nga vendi ku ndodhi ngjarja. Shërbimi i Urgjencës në Korcë nuk është përgjigjur në telefon, ndonëse drejt numrit të vënë në dispozicion për qytetarët janë kryer thirrje, disa herë më radhë.
Ndihma erdhi vetëm pasi një nga gazetarët të ndodhur në gjykatë për të raportuar lajme, ka shkuar në spitalin e Korcës, dhe është kthyer prej andej me një nga mjekët e spitalit.
Mjekët konstatuan më pas se shkak për humbjen e jetës së Jaupllarit ka qenë një ataku kardiak. Ai priste në korridor për masën e sigurisë për nipin e gruas, shtetasin Sokol Gjudi, i akuzuar për trafik droge.
SHEFI I URGJENCËS: VONESA PËR SHKAK SE MJEKËT ISHIN NË TJETËR RAST
Ka reaguar spitali i Korçës në lidhje me vdekjen e 60-vjeçarit brenda në Gjykatë. Sipas spitalit të Korçës, bëhet me dije se vonesa e mjekëve ka ndodhur për shkak se ata ishin në një tjetër urgjencë. “Për 20 minuta mjekët mbërritën në Gjykatë. U përpoqën për ndihmë, por 60-vjeçari kishte vdekur”- bënë Shefi i Urgjencës të Spitali i Korçës.
Sipas Kujtim Shabanit, Shefit të Urgjencës, një mjek ishte në urgjencë në një shtëpi, ndaj nuk është bërë e mundur mbërritja në kohë e stafit mjekësor për ti dhënë ndihmën e parë 60-vjeçarit. “Një mjek ishte në urgjencë në një shtëpi. Mjeku tjetër duhet të qëndronte në spital. Ndaj, s’mund të largohej nga spitali mjeku”- ka rrëfyer shefi i Urgjencës së Korçës.
Kujtim Shabani ka bërë me dije se vonesa prej një ore, nuk ka qenë jo vetëm për shkak të mjekëve. “Telefoni i zënë për shkak të fluksit”- ka bërë me dije më tej shefi i Urgjencës./Balkanweb.com/