Njerëzit i kanë konsumuar burimet natyrore të Tokës për këtë vit, sipas shifrave. Organizata Global Footprint Network të hënën e ka shënjuar si të ashtuquajturën dita e shfrytëzimit ekstrem të Tokës.
Global Footprint Network përllogarit çdo vit ditën e mbingarkesës së planetit, ose ditës së mbikonsumimit të Tokës. Sipas të dhënave të kësaj organizate kjo ditë po afron gjithnjë e më shumë. Më 1971, dita e parë e mbikonsumit global përkoi me 21 dhjetorin. Vitin e kaluar ishte 1 gushti dhe sivjet për herë të parë ajo është zhvendosur më herët duke përkuar me 29 korrikun.
Dita e mbishfrytëzimit të botës nënkupton, që njerëzit deri në këtë moment kanë konsumuar aq shumë burime nga Toka, sa të gjitha ekosistemet mund të prodhojnë përgjatë një viti të tërë.
Njerëzimi konsumon pra çdo vit më shumë tokë bujqësore dhe kullotash, rezerva peshku dhe pyje, se sa kanë faktikisht në dispozicion. Po ashtu emetohen shumë më tepër emisione CO2, nga sa mund të filtrojnë pyjet dhe oqeanet.
Organizata ndërkombëtare e Qendrueshmërisë së Burimeve Natyrore me seli në Oakland të Kalifornisë, deklaron, se kostot e konsumit bëhen gjithnjë e më të dukshme, prej shpyllëzimit, erozionit të tokës, humbjes së diversitetit ose rritjes së përqendrimit të dioksidit të karbonit ( CO2) në atmosferën e Tokës.
Dallime të mëdha rajonale
Dita e mbikonsumimit të Tokës është një vlerë mesatare globale, në secilin vend ka dallime të mëdha sa i përket konsumimit të burimeve natyrore. Organiazata Botërore e Mbrojtjes së Mjedisit (WWF) deklaron, se në Katar dita e konsumimit maksimal është arritur prej 42 ditësh, ndërsa në Indonezi ajo arrihet pas 342 ditësh.
Sipas përllogaritjeve të organizatave të mjedisit popullsia botërore konsumon ndërkohë 1,75 të planetit. Nëse njerëzit të gjithë do të jetonin si në Gjermani, do të duheshin tre planete si Toka. Nëse njerëzit do të kishin të gjithë të njëjtin konsum burimesh si qytetarët e SHBA-së, do të nevojiteshin pesë planetë si Toka.
Shqetësusese janë dhe shifrat e emetimit të gazit karbonik në fushën e transportit, problematikë e shtuar me bumin e shkaktuar në aviacionin ajror në vitet e fundit.
Rritja e popullsisë është një tjetër faktor që ndikon në ezaurimin e burimeve. Në vitin 1970 në botë kishte rreth 3.7 miliardë njerëz, ndërsa sot bota numëron 7.5 miliardë banorë, Kina dhe India kryesojnë popullsinë botërore. Në këto vende jetojnë përkatësisht 1.4 dhe 1.3 miliardë banorë./DW