No country for women writers*
Nina Cara
Që një festival letersie e artesh pamore, ose secili më vete është gjithmonë lajm i mirë mund të biem dakord shumë prej nesh. Që zëvëndësimi i kazmës ose pushkës me librin, veçse emancipim e zhvillim s’mund të prodhojë gjë tjetër (mënjanë respektit për kazmën si “bukëprodhuese” e heronjtë kombëtarë që luftuan për çlirimin e atdheut) mund të biem sërish dakord shumë prej nesh.
Që posterat Warhol-ianë vazhdojnë të jenë pop e gjetje ka rezultuar vazhdimisht të jetë e vërtetë, pikërisht se bëhet fjalë për art që angazhon imazhe popullore si antagoniste të kulturës elitiste në art, duke theksuar elementet banale dhe “kitsch” të kulturës, më së shumti nëpërmjet përdorimit të ironisë. -Aksesi masiv në art do përbënte një temë tjetër të vjetër e të re, të përshtatshme për kritikët e artit. –
Që në dhjetë shkrimtarë e artistë pamorë të denjë për të qëndruar në posterin që përfaqëson festivalin nuk ka asnjë femër shkrimtare ose artiste vizuale nuk përbën lajm të mirë për vendin tonë.
Që çdo njeri shumë pak në kontakt me artet, për shkak të kohës ose neglizhencës kupton se asnjë femër shkrimtare shqiptare nuk është në nivelin e Roberto Saviano-s (në një vend mjaft të nderuar mes Ismail Kadaresë dhe Ibrahim Kodrës) vazhdon të mos jetë lajm i mirë për vendin tonë. Që Roberto Saviano është konsideruar “hero-kombëtar” nga Umberto Eco (në Itali) dhe që aktivizmi dhe kurajoja e tij pa diskutim i kalon kufijtë duke na dhënë një shembull të vetëmohimit në emër të lirisë dhe së drejtës për të denoncuar padrejtësinë e dhunën është fakt.
Asnjë paralelizëm me aktivitetin letrar të Kadaresë (në krah të të cilit është vendosur fotoja e tij) përgjatë diktaturës nuk di të shtroj në këtë pikë sepse përveç vlerësimeve për kurajo e guxim e vërtetësi (per kete ka mbrojtje të vazhdueshme nga shteti) nuk di që Saviano të jetë vlerësuar artistikisht në veçanti për mënyrën e tij të shkruarit e prurje në letërsi.
Por nëse Saviano meriton të jetë aty, a nuk do meritonte dhe Musine Kokalari të ishte në atë poster (Ajo që nuk pati mbrojtje nga shteti, por teksa ishte në sallën e gjyqit duke u gjykuar turma jashtë ulëriste ‘me vdekje në litar’)?
Mimoza Ahmeti, Elvira Dones, Natasha Lako, Besa Myftiu, Ornela Vorpsi, Mira Meksi, Luljeta Lleshanaku (ndjesë për emra që s’më kujtohen ose që s’i njoh, për fajin tim ose të “posterave” orientues), asnjëra prej këtyre nuk e meriton të jetë në atë poster?
E nëse vërtet ne nuk paskemi shkrimtare femra çfarë do të thotë kjo për një vend?
Se do vazhdojmë që femrën ta mbajmë në ballë të vendit vetëm me pushkë në dorë (mund të ishte dhe kazëm), aty, poshtë posterit?! Për të mbrojtur kë, çfarë?!
(*Poster Warhol-ian i përbërë prej fjalësh)