Pergjimet: Na vrane 1, te vrasim 10, hipokriteve t’u presim qafen
Një nga provat më të forta që vërteton aktivitetin radikal islamik të imamit të vetëshpallur të xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa është një bisedë telefonike e përgjuar nga Shërbimi Informativ i Shtetit, që Hysa ka realizuar në datën 10 janar me një person ende të paidentifikuar. Në këtë komunikim, teksa flasin për vrasjen në Siri të shqiptarit nga Vlora, Hasan Korvafaj, imami i xhamisë së Mëzezit e qorton personin se nuk po mëson nga videot në internet që i ka këshilluar t’i shohë. Mandej, në zhargon Hysa i sugjeron se iu duhet “prerë qafa” hipokritëve duke e informuar se në shenjë hakmarrje për vrasjen e Korvafajt, “vëllezërit” i kanë thënë se duhen vrarë 10 vetë.
Në këtë material voluminoz sqarohet gjithashtu se para dërgimit në Siri, Hysa i dërgonte rekrutët për t’u vaksinuar në Institutin e Shëndetit Publik. Ndërkohë që është zbërthyer edhe mesazhi i koduar “po hapen shumë fabrika”, që nënkupton frontet e luftës në Siri. Një tjetër përgjim, që përbën provë të fortë kundër një tjetër personi të arrestuar nën akuzën e nxitjes së terrorizmit, është biseda telefonike e realizuar në datën 26 janar mes Fadil Muslimanit dhe shtetasit Naim Karaj. Në këtë komunikim, Karaj e informon Muslimanin se ka njohur një arab që kërkon të martohet me një vajzë shqiptare. Por Muslimani i sugjeron që në këmbim të rolit të shkuesit, Karaj t’i kërkojë para, që t’i përdorin më pas me qëllim rekrutimin e personave për t’i dërguar në Siri.
Për këtë arsye por edhe për shumë fakte të tjera kompromentuese, të grumbulluara tashmë, Fadil Muslimani është 1 nga 8 të arrestuarit që dyshohen për kryerjen e veprave penale “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; “Nxitjes, thirrjes publike dhe propogandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe atë të “Nxitjes së urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. I dyshuari tjetër për aktivitet terrorist, që përmendet në këto pasazhe është Genc (Abdurrahim) Balla, drejtues i Xhamisë së Unazës së Re. Ai është ndjekës i ideologjisë radikale tekfiriste dhe ndaj tij janë ngritur të njëjtat akuza. “GSH” boton ekskluzivisht pjesët më pikante të këtyre përgjimeve që përmban dosja e SHISH-it dhe Prokurorisë.
*****
“FABRIKA”
Në datë 31.12.2013 personi me nr.009053xxxxx (Shyqyri Kasa) telefonon Bujarin dhe i thotë: E more vesh për Ebu Amarin. Po po i thotë Bujari. Po familja si është a i keni pare? Po po ka shkuar gruaja dhe ajo po mbahet. I shpjegon se si është vrarë Ebu Ameri në vijë të parë të frontit. Personi e pyet si është Ebu Hatixhja (Kujtim Tafa) dhe Bujari i thotë se është mirë. Bujari i thotë se toka jote ka pas nja dy kërkesa andej nga Lushnja. Shukriu i thotë se ishalla bëhet se kemi nevojë për to (për lekët). Bujari i thotë se një shoku i Saimirit (djali i Shyqyriut, Saimir Kaca), Hajdari do me ardh andej. Mirë unë nuk e njoh por ne na duhen njerëz të rinj. Se dhe ky që ka ardh i gjati nuk është shumë i mirë. Edhe shpenzim i madh është se me lekët e vëllezërve është e vështirë. Ata dy kosovarët që erdhën ikën. Po i thotë Bujari ata që i solli ai elbasanlliu. Zejdi (Zejdi Shyqyri Kaca) është në punë. Se fabrika është shumë e gjerë, është e madhe (e ka fjalën për fushë-betejën).
“RAPORTI 1 ME 10”
Datë 10.01.2014. Personi me nr.067xxxxxx merr Bujarin dhe Bujari e sqaron për Hasanin (Korvafaj) që është vrarë dhe i thotë se ka qenë i xhamisë këtu. Bujari i thotë se munafikëve (hipokritëve) do t’i presim qafën. Vëllezërit kanë thënë se raporti do jetë 1 me 10. Mundohu t’i shikosh videot që të kam nis unë që të mësosh, mos rrish injorant. Futu edhe te Teuhidi që të mësosh. Personi e pyet se si është Abdurrahimi. Mirë i thotë Bujari. (Del se Bujari po e radikalizon këtë person).
FRONTE LUFTE
Bujari merr në telefon Genc Ballën në numrin 067xxxxxx dhe e pyet nëse ka marrë vesh gjë nga vëllezërit. Genci i thotë se nuk kam marrë vesh gjë. Genci e pyet se si janë të tjerët dhe Bujari i thotë se janë mirë, janë në El Bab dhe janë me Omerin. Punë e madhe në Turqi i thotë Bujari, janë hap shumë fabrika. Bujari i thotë ti e kupton pse të them unë në Turqi (bëhet fjalë për fronte lufte në Siri).
VAKSINIMI
Personi me nr.0035568xxxxxx merr Bujarin dhe e pyet për vaksinat që bëhen për në Arabi. Bujari i thotë se te Instituti i Shëndetit Publik dhe se bëhen për melingjit. Dua të shkojnë rreth 15 veta nga Xhemati i xhamisë (në fillim të bisedës duket sikur prezantohet Muhamed Mata).
ARABI DO NUSE
Data 26.01.2014. Ora 18:04. Fadili flet në telefon me nr.0035567xxxxxxx me Naim Karaj dhe Naimi i thotë se është te Xhamia e Dine Hoxha. Aty është takuar me një arab të cilin e ka njohur në Facebook, i cili ka ardh në Shqipëri për të gjet nuse. Më pas Fadili i thotë që t’i kërkojë arabit të bëjë ndonjë investim pasi ka nevojë për lekë. Naimi i thotë se unë nuk e njoh atë dhe kam frikë se mos është i ndonjë shërbimi (shërbimi sekret). (Bëhet fjalë për investime për rekrutim të personave dhe për t’i dërguar në Siri)./Balkanweb.com/