Peticion kundër heqjes së abonesë së përgjithshme!

Qindra qytetarë kanë firmosur në ditën e parë një peticion ku kërkohet kthimi i abonesë së përgjithshme të transportit urban në kryeqytet, dhe përmirësimi i cilësisë së këtij transporti.
Peticioni i inicuar nga Organizata Politike i drejtohet Bashkisë së Tiranës, e cila në një vendim të diskutueshëm vendosi pak ditë më parë heqjen e abonesë së përgjithshme për të paktën 3 muaj, duke dyfishuar koston e transportit urban.
“PETICION KUNDËR HEQJES SË ABONESË SË PËRGJITHSHME
Ka nisur sot mbledhja e firmave të peticionit për anulimin e vendimit të heqjes së abonesë së përgjithshme në Tiranë.
Në secilën prej katër pikave ku ndodhen aktivistët tanë këtë paradite (9-katëshet, pas 15-katëshit, kafene Piazza dhe Banka Kombëtare), janë mbledhur mbi 600 firma që në orët e para. Shumë qytetarë kanë shprehur mbështetjen e tyre me këtë nismë, mes të cilëve shumë punëtorë të cilëve u duhet të ndërrojnë nga dy apo tre linja urbane për të shkuar në punë e për t’u kthyer.
Mbledhja e firmave do të vijojë në këto pika deri në orën 17:00 dhe në Bibliotekën Kombëtare nga ora 18:00–19:00. Ju ftojmë të na bashkoheni!”-thuhet në një reagim të Organizatës Politike në rrjetet sociale./ I.M-HistoriaIme