Protestuesit mbushën rrugët të dielën në Bejrut, në ditën e katërt të protestave antiqeveritare, për të kërkuar reforma ekonomike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në vend.
“Nuk kam pritur që njerëzit nga veriu, jugu dhe Bejruti të bashkohen me duart bashkë me njëri-tjetrin. Protestat i kanë bashkuar të gjithë dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë,” tha Sahar Younis, një punëtor 32-vjeçar ne një organizatë joqeveritare.
Muzika u ndez në rrugë ndërsa protestuesit brohorisnin dhe valëvitnin flamurin libanez. Mijëra pritet të dalin në protestë dhe thirrjet janë në rritje që anëtarët e qeverisë të japin dorëheqjen.
Partia e Krishterë e Forcave Libaneze, aleate me kryeministrin Saad Hariri, dha dorëheqjen nga koalicioni gjatë fundjavës. Hariri u dha partnerëve të tij të koalicionit një afat 72-orësh të premten për të rënë dakord me reformat e prezantuara dhe sugjeroi se ai mund të japë dorëheqjen nëse nuk kalojnë reformat.
Do të ishte e vështirë për partitë e ndryshme në qeverinë e koalicionit të krijonin një kabinet të ri, nëse Hariri, një musliman sunit i mbështetur nga aleatët arabë të Gjirit, do të jepte dorëheqjen, raportoi Reuters.
Protestat u nxitën pjesërisht nga një taksë e propozuar për thirrjet në rrjetin e komunikimit WhatsApp.
Këto janë protestat e para pa karakter fetar në vend, që nga koha e luftës civile.
Prodhimi i brendshëm bruto në Liban vlerësohet të jetë rritur vetëm me 0.2% në vitin 2018, tha Banka Botërore. Vendi gjithashtu është ndikuar shumë nga kriza e refugjatëve sirianë, duke marrë rreth 1.5 milion refugjatë, sipas BB.
Libani renditet në vendin e 138 nga 180 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparencës Ndërkombëtare për vitin 2018. Protesta të tjera janë thirrur pa afat, deri në arritjen e një marrëveshjeje të gjerë dhe rezultateve konkrete nga masat qeveritare për situatën ekonomike në vend./ euronews
Burimi i fotos: PBS