Pse po kundërshtohet emri i satelitit që bëri superfotot dhe lidhja me LGBTQ+

Miliona njerëz në mbarë botën, edhe në Shqipëri, kanë shpërndarë fotot historike të kapura nga teleskopi hapësinor James Webb, më i fuqishmi i lëshuar ndonjëherë në hapësirë.
Por ka një problem në këtë mes.
Dhjetëra astronomë janë duke bërë thirrje që teleskopi të riemërohet, pra të mos quhet James Webb, pasi ky i fundit dyshohet që ishte bashkëpunëtor në persekutimin historik të njerëzve LGBTQ+.
Teleskopi 10 miliardë dollarësh është emëruar në nder të James Webb, një ish-zyrtar amerikan që ishte administratori i dytë i NASA-s.
Webb udhëhoqi agjencinë hapësinore gjatë shumë misioneve Apollo në vitet 1960 dhe gjithashtu shërbeu si nënsekretar i shtetit i SHBA nga 1949 deri në 1952.
Emri i teleskopit është kritikuar nga shumë shkencëtarë mes pretendimeve se Webb ishte i lidhur me persekutimin e njerëzve LGBTQ+ në vitet 1950 dhe 1960, shkruan së fundmi gjigandi “The Guardian”
Gjuetia e shtrigave në Lavender Scare rezultoi në shkarkimin masiv të Gay-ve dhe lezbikeve nga shërbimi i qeverisë amerikane në mesin e shekullit të 20-të.
Studiuesit i kanë bërë thirrje NASA-s të riemërtojë teleskopin (JWST) që nga fillimi i vitit 2021.
Një peticion është nënshkruar nga më shumë se 1700 njerëz në komunitetin e astronomisë.
Chanda Prescod-Weinstein, asistent profesor i fizikës në Universitetin e New Hampshire dhe një nga katër studiuesiet që udhëheqin peticionin e riemërtimit, shkroi të hënën në Twitter: “Si një nga njerëzit që ka udhëhequr shtytjen për të ndryshuar emrin, sot ndihem e trishtuar. Jam shumë e emocionuar për imazhet e reja dhe kaq e zemëruar me selinë e Nasa-s.
Udhëheqja e NASA-s me kokëfortësi ka refuzuar të pranojë se ajo që tani është informacion publik në lidhje me trashëgiminë e JW do të thotë se ai nuk meriton të ketë një observator të madh me emrin e tij,” -tha ajo. / Historia Ime