Qeveria tërhiqet nga propozimi për dënimin e “shpifjes” si krim kundër shtetit
Protestat dhe zemërimi publik i shkaktuar nga zbulimi i planit të qeverisë për të dënuar deri në tre vjet burg “shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë” si “krim kundër shtetit” bënë që qeveria të deklarojë tërheqjen e projektligjit brenda më pak se 12 orësh nga publikimi i lajmit.
Kryeministri Edi Rama, i cili qe sponsorizuesi i propozimit, kërkoi ndjesë në një postim në Facebook sot në mëngjes (12 nëntor) dhe u përpoq të sugjeronte se bëhej fjalë për një keqkuptim dhe se synimi i tij qe që të dënonte politikanët dhe jo gazetarët.
Por pak më vonë, ministrja e marrëdhënieve me parlamentin Ermonela Felaj, deklaroi se “në emrin tim personal dhe në emër të qeverisë ju them se ne do ta tërheqim këtë projektligj”.
Më parë, propozimi u kundërshtua ashpër nga organizata për të drejtat e njeriut, nga Avokati i Popullit dhe nga një pjesë e gazetarëve, të cilët e konsideruan kriminalizimin e shpifjes si një përpjekje për të kërcënuar çdo qytetar kritik ndaj autoriteteve.
Edhe përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias Dunja Mijatović, kritikoi projektligjin e qeverisë duke kërkuar rrëzimin e tij të menjëhershëm dhe dekriminalizimin e mëtejshëm të shpifjes si vepër penale. /m.g
Burimi: Reporter.al