Rama ne Berlin: “te mos e japesh statusin, sipas kendveshtrimit tim eshte plotesisht e paarsyeshme”
Nga Berlini kryeministri Edi Rama edhe njëherë tjetër ka theksuar se Shqipëria tashmë i ka përmushur detyrat e shtëpisë, vendosur nga Europa për ta marrë statusin e vendit kandidat.
“Ne e kemi kaluar testin edhe pse unë besoj se Shqipëria e meritonte statusin e vendit kandidat që në dhjetor dhe se mosmarrja e statusit kandidat nuk i solli ndonjë gjë të mirë as Shqipërisë, as rajonit dhe as Evropës apo procesit të përgjithshëm të përparimit europian”, deklaroi Rama.
Duke folur në Fondacionin “Friedrich Ebert”, Rama e cilësoi statusin si një “pilulë antidepresive” për shoqëritë që aspirojnë t’i bashkohen familjes europiane.
“Statusi i vendit kandidat është diçka krejtësisht ndryshe nga anëtarësimi në BE, por është gjithashtu diçka që nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me negociatat. Statusi i kandidatit është një lloj pilule antidepresive për shoqëritë që kanë nevojë të kenë shpresë, ndërkohë që nuk janë plotësisht të gatshme të bëhen pjesë e BE dhe madje, as të hapin negociatat”, tha Rama.
Për Ballkanin, u shpreh ai, e ardhmja e europiane është domosdoshmëri. “Kështu, të mos e japësh statusin, sipas këndvështrimit tim është plotësisht e paarsyeshme. Ta japësh statusin është jo vetëm e arsyeshme, por do të thotë të japësh praktikisht pothuajse asgjë dhe të përfitosh shumë më tepër. Përfiton ndërtimin e shpresës dhe besimit të njerëzve në të ardhmen, në një zonë shumë të vështirë, për shkak të problemeve ekonomike, të papunësisë së lartë, problemeve sociale dhe e fundit, por jo më e parëndësishme, mjafton të shihni një panoramë të asaj që po kalon Ballkani sot”, tha më tej Rama.
Në të njëjtën kohë, sugjeroi Rama, ne duhet të gjejmë mënyrën për të mos e lidhur vëmendjen dhe bashkëpunimin e Bashkimit Europian me Ballkanin me marrëdhënien midis Unionit dhe çdo vendi. “Rruga individuale e çdo vendi është një gjë dhe bashkëpunimi rajonal një gjë tjetër”, nënvizoi kryeministri.
Për më shumë klikoni: http://top-channel.tv/artikull.php?id=279960