Rrëfimi i Bertit: Të jesh i diskriminuar edhe si rom edhe si LGBT

Berti është 43-vjeç, ndërsa jeton në Tiranë, pa punë dhe vetëm me mamanë, e cila trajtohet me një pension prej 10.000 lekësh në muaj.
Teksa ai rrëfen për jetën e tij, nis duke folur për kushtet e rënda ekonomike në të cilat ndodhet.
“A duhet një person të vdesë për bukë që të marrë një asistencë sociale?” – pyet Berti, një pyetje që vështirë t’i japësh përgjigje.
Jeta e tij nuk ka qenë e lehtë, pasi është përballur jo vetëm me varfërinë, por edhe me diskriminimin e dyfishtë, si anëtar i komunietit LGBTI dhe si anëtar i komuniteti rom.
“Unë jam rritur pa baba.
Shkollën e vazhdova deri në klasën e tetë, pastaj në vitin e parë në gjimnaz unë u detyrova që ta lë shkollën, për shkak të një sëmundje të mamit, dhe unë duhej të punoja. Aktualisht jam pa punë, nuk marr asnjë asistencë, duhet të vdesim për bukë për ta marrë atë asistencë. Aktualisht jetoj me mamin me 10 000 lekë pension që shkojnë vetëm ujë dhe drita. Ne aktualisht bëjmë një jetë shumë të vështirë, shumë të varfër. “-thotë ai, teksa shton se diskriminimin dhe racizmin e ka ndjerë gjatë gjithë jetës së tij.
Diskriminimin e kam ndjerë, kur kërkojmë punë, në zyrat e punës, vërehet menjëherë diskriminimi, ka shumë racizëm në zyrat e shtetit, kjo gjë vjen nga injoranca e njeriut.
Kjo gjë më shqetëson, kudo që kam vajtur për punë, më shikojnë nga ngjyra, që është e dukshme dhe më diskriminojnë.
Nëse do më kishte dhënë zoti më shumë dituri, unë do të kisha aplikuar për kandidate për deputet dhe do të kërkoja të drejtat e komuniteti tonë, është e turpshme ajo që ndodh, është e frikshme.”-thotë ai.
Por, edhe pse racizmi dhe diskriminimi në shumicën e rasteve nuk përçohen përballë, Berti thotë se ai e ka parë me sytë e tij, dhe dëgjuar me veshë, gjuhën e rëndë të përdorur për të.
“Ik mo jevg, më thonë, ma kanë thënë në sy, dhe kjo nuk është normale, sepse unë kam karakter, kam pastërti, nuk kam bërë asnjë vjedhje, dhe nuk kam bërë asnjë vepër penale.”
Në komunitetin LGBT unë ndihem shumë mirë, askush nuk të diskriminon.”-e mbyll rrëfimin e tij Berti./ HistoriaIme
*Për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit emri Berti nuk është emri i vërtetë i personazhit.