Samiti euroaziatik, Kodheli: Padi “Corriere della Sera”-s, shpifi per delegacionin shqiptar
‘Një lajm fals’ e konsideroi ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli lajmin e publikuar sot në të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, se delegacioni shqiptar la punimet e Samitit euroaziatik, që po zhvillohet në Milano, dhe shkoi për të luajtur kazino.
Ministrja e Mbrojtjes paralajmëroi se kjo media do të përballet me padinë për shpifje, pasi në këtë Samit nuk kishte të ftuar asnjë delegacion shqiptar.
“Zyra ime është duke përgatitur padinë për lajmin që “Corriere della Sera” ka nxjerrë sot. Shqipëria nuk është pjesë, për fat të keq, e atij Samiti, i cili ështe mes BE-së dhe vendeve të Azisë. Nuk ka pasur asnjë delegacion shqiptar që të marrë pjesë atje. Zyra ime po bën një padi ndaj gazetës”, tha për mediat ministrja Kodheli, pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Samiti euroaziatik mblodhi në Milano 53 përfaqësues qeverish, kryesisht kryeministra dhe presidentë./ATSH/