Spartak Ngjela per seancen e se enjtes: nje koment qe ia vlen ta lexosh
Me poshte komunikimi i z. Spartak Ngjela ne Facebook:
“Një shok psikologjik kaloi e gjithë shoqëria shqiptare me atë që pa të enjten që kaloi në Kuvendin e Shqipërisë. Pasi dëgjuan atë gjuhë aq vulgare, të gjithë e kuptuan se drejtohen nga të paditur ose nga njerëz pa integritet. Integriteti është plotësimi individual i një njeriu të ditur që e ka paraqitur tërësisht figurën e tij morale përballë opininit publik apo rrethit të tij shoqëror, apo vetë families.
Por Samuel Johnson-i na ka thënë se “integriteti pa dije është i dobët dhe i padobishëm, kurse dija pa inegritet është e rrezikshme dhe e frikshme”.
Se cilën nga këto dy anë të kësaj medaljeje kanë treguar “luftëtarët” e rrugaçërisë shqiptare të enjten në Parlament, kjo është në të drejtë të çdo shqiptari që ta gjykojë vetë, por që ajo që pamë ishte një situatë e rrezikshme dhe dëshpëruese për shqiptarët, këtë besoj se e mendojnë të gjithë kështu …
Çfarë ishte ajo skenë, një shfaqje e dashurisë së shtirur për njerëzit që kanë marrë përsipër të drejtojnë këta liderë; një shfaqje e urrejtjes për njerëzit që kanë marrë përsipër të drejtojnë këta liderë, apo një humnerë barbare që del e shfaqet nga paqëndrueshmëria e psikikës së tyre agresive? E ç’rëndësi ka se cila është nga këto gjasa, më e rendë është se, njëra prej tyre, është e padyshimtë që është, dhe sigurisht që është shumë e rëndë dhe e rrezikshme për të ardhmen e afërt të shqiptarëve…”– shkruan Ngjela në Facebook.