Studentët e Lëvizjes për Universitetin kanë dorëzuar tek Ministria e Arsimit dhe e Sportit, ditën e sotme një peticion me 7510 firma nga student të Universiteteve Publike ku kërkohet anulimi i tarifave të studimit për vitin akademik 2019-2020.
Studentët janë shprehur se në këtë vit, ata nuk mund të paguajnë tarifë, pasi sipas tyre shumicën e kohës së rregullt të studimeve , studentët nuk kanë qenë në auditore, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Gjatë kohës së dorëzimit të peticionit, policia u ka bërë thirrje studentëve që të shpërndahen menjëherë pasi nuk lejohen grumbullimet për shkak të pandemisë.
Studenëtët janë përplasur verbalisht edhe me zv.ministrin e Arsimit, Oltion Rrumbullaku i cili ka kaluar para ministrisë po nuk ka gjetur asnjë fjalë që të flasë me studentët.
“Në një situatë të tillë, e kemi kuptuar të gjithë që kriza ekonomike, ka prekur prindërit tanë që janë puëntorë, janë prekur dhe studentët që kanë pasur kosto shtesë përveҫ librave. Kërkesa jonë është anulimi i tarifave për këtë vit, kemi pasur dy situata, ajo e tërmetit dhe e COVID-19, në këto kushte ne kemi qenë rreth dy muaj në auditore. Aksioni ynë do të vijojë nëse nuk ka reagim nga Ministria e Arsimit” tha studentja dhe aktivistja e Lëvizje Për Universitetin Albina Ruko.
Peticioni:
Drejtuar: Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë
Mësimi online i këtyre muajve ka dështuar. Një pjesë e konsiderueshme e studentëve nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin dhe janë diskriminuar për shkaqe ekonomike. Të tjerë kanë hasur vështirësi të panumërta në leximin e literaturës dhe shlyerjen e detyrimeve studimore. Nëse këtyre problemeve u shtojmë edhe humbjen e punës dhe të ardhurave familjare, pagesa e tarifave do të ishte e padrejtë, e pandershme dhe diskriminuese.
Ne, studentët e universiteteve publike të Shqipërisë, kërkojmë anulimin e menjëhershëm të tarifave për vitin akademik 2019-2020. Në të kundërt, zotohemi të nisim një fushatë të gjerë bojkotimi të tarifave.
UNIVERSITET PA TARIFA, JO TARIFA PA UNIVERSITET!/ HistoriaIme