Thaci nuk e njeh koalicionin e opozites
(Foto Reuters)
PRISHTINË- Hashim Thaçi, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e ka komentuar marrëveshjen e partive opozitare për të ndërtuar qeverinë, por ka thënë se partia e tij bashkë me koalicionin do të mandatohen për të formuar Ekzekutivin.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Thaçi ka thënë se ai do të marrë mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme, pasi Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e para në zgjedhjet e 8 qershorit. “Është e qartë sot siç ishte e qartë edhe dje se mandatar i Qeverisë së ardhshme është partia fituese e zgjedhjeve dhe koalicioni parazgjedhor prej Partisë Demokratike të Kosovës dhe koalicionit për Mision të Ri”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Sipas tij zgjedhjet e 8 qershorit kaluan si më të mirat e pasluftës dhe po numërohen edhe votat e fundit.
Sërish rokadë, Haradinaj: Do të qeveris unë Kosovën, jo Thaçi
Liderët e opozitës së Kosovës, pa Vetëvendosjen, firmosin marrëveshjen e “bashkimit” duke rrëzuar nga posti kryeministror Hashim Thaçin, i dalë fitues nga zgjedhjet e parakohshme të 8 Qershorit, por jo mjaftueshëm për të formuar qeverinë e re.
Këtë të martë Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafës, kundërshtari direkt i Thacit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt dhe Nisma për Kosovën e Limajt dhe e Jakup Krasniqit nënshkruan marrëveshjen mes tyre, duke i lënë drejtimin e vendit Ramush Haradinajt, si kreu i qeverisë, të cilësuar në këtë marrëveshje, si “qeveria e kthimit të shpresës”.
Sipas marrëveshjes së firmosur nga krerët e të tre partive, kryetari i Kuvendit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, e poashtu edhe Presidenti sipas Kushtetutës. Ndërsa Fatmir Limaj i Nismën do të marrë postin e zv/kryeministrit.
Më këtë marrëveshje krijohet një shumicë e re parlamentare pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, dhe Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës, kalon në opozitë.
“Ne bashkërisht kemi vendosur që Ramush Haradinaj të jetë i nominuari ynë për kryeministër. Kryetari i Kuvendit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës e po ashtu edhe presidenti në harmoni me kushtetutën. NISMA do të përfaqësohet me një Zëvendëskryeministër /shqiptarja.com/