Zgjedhjet e BE, projeksionet dhe sondazhet parashikojnë humbje për blloqet e mëdha

Në prag të zgjedhjeve të Majit për parlamentin evropian, projeksionet dhe sondazhet parashikojnë një humbje për blloqet e mëdha në parlament, por sërish pritet që ata të marrin numrin më të madh të deputetëve.
Bëhet fjalë për grupimin e Partive Popullore Evropiane (PPE) dhe Social-Demokratët (S&D). Të dy këto blloqe partish, i pari për partitë e djathta dhe të qendrës së djathtë, ndërsa blloku i dytë grupim i partive të majta e social-demokrate, pritet të humbasin një numër të konsiderueshëm deputetësh në Parlamentin Evropian.
Grupimi Social-Demokrat pritet të humbasë 32 vende në Parlament, ndërsa Partitë Popullore 41. Sipas sondazheve asnjë grupim nuk do të arrijë të fitojë shumicën në Parlament, prandaj qeverisja e re e Bashkimit Evropian pritet të zgjidhet me konsensus nga të dy grupimet politike.
Nuk dihet ende se me kë grupim politik do të bashkohen forcat e pavarura, që gjithashtu pritet të fitojnë terren dhe një numër më të madh vendesh në parlament. Partia Brexit e Nigel Farage në Britani, Lëvizja 5 Yjet në Itali dhe Partia LREM e presidentit francez Macron janë ende të pa përfshira në grupimet e sipërpërmendura. Të tre këto parti pritet të fitojnë një numër më të madh deputetësh në zgjedhjet e ardhshme.
Mendohet gjithashtu se partitë populiste në varësi të rezultatit që do të marrin, pritet të krijojnë një grupim populist euro-skeptik të ri në Parlament. Ndryshe nga grupimet e PPE dhe S&D, grupimi liberal ALDE pritet të fitojë pozitat e tij dhe me këtë grupim pritet të bashkohet dhe partia e Macron La Republique en Marche. /k.j