Zv/Kryeministri Peleshi: Fituam moralisht, flamuri nuk thyen asnje rregull te UEFAs
Teksa ndodhej në aeroportin Nënë Tereza për të pritur skuadrën kombëtare, zv/kryeministri Niko Peleshi e cilësoi atë që ndodhi sot në Beograd si “një ngjarje e shëmtuar” dhe shtoi se “ne fituam moralisht, ndonëse na vjen keq për ata që duhet të kishin marrë masa që ajo dhunë të mos ndodhte”.
Gjatë një prononcimi për Top Channel, Peleshi që shoqërohej nga ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla e veshur me bluzën e kombëtares, tha se “pjesa me flamurin nuk besoj se thyen ndonjë rregull të posacëm të UEFAs, por ajo që është e papranueshme ndodhi kur tifozët hynë në fushë në mënyrë të dhunshme, cka është e ndaluar”.
I pyetur nga gazetari Pandi Gjata se a do të zhvillohet pas kësaj ngjarje, normalisht vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd, Peleshi u përgjigj:
“Unë nuk dua të paragjykoj vizitën e kryeministrit Rama, secili prej nesh do të dëshironte që ngjarjet e sotme të ishin të shkëputura, qëllimi i vizitës së kryeministrit është i ndryshëm nga ajo cka u promovua sot, qëllimi është si të hapim një faqe të re në historinë e Ballkanit, si të promovojmë vlerat e reja të një rajoni që duhet të zhvillohet me vështrimin nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara”.