Deri 40% e te punesuarve nuk paguajne taksa
Raporti i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike saktëson se 30-40% të të punësuarve në Shqipëri nuk paguajnë asnjë taksë ndaj shtetit çka ka sjellë reduktim të kontributeve shoqërore si dhe zhvillimin e një konkurrence të pandershme mes bizneseve. Milva Ikonomi, eksperte në ekonomi, përmes një analize sqaron se nga viti 2007 në 2012 bizneset nuk kanë ulur pagat edhe pse nuk kanë rritur investimet, çka ka ndihmuar në kapërcimin e krizës më lehtë.
“Po flasim për shkallën e gape-t midis atyre që kanë qenë të punësuar dhe atyre që kanë qenë kontribues. Në vitin 2007 shkalla e gape-t ishte 12%, ndërsa në vitin 2012 shkoi 40%. Në Shqipëri mbizotëron ndërmarrja e vogël, me pak punonjës, biznesi me lidhje nepotike. Pikërisht kjo ka shërbyer për të mos lejuar rënien e pagave në sektorin privat”, shpjegon zonja Ikonomi.
Milva Ikonomi sqaron se shumë biznese në Shqipëri janë me lidhje familjare, çka ndikon që shpesh vendimet të mos jenë të drejta: “Kur ndërmarrja realizon bilancin e vet ekonomik, ka gjithmonë parasysh që një pjesë të fitimit ta çojë drejt fondit të pagave dhe një pjesë ta lërë për të bërë investime. Shumë vende të rajonit ulën pagat e punonjësve dhe jo investimet, ndërsa në Shqipëri nuk u ulën pagat në kohën e krizës.”
Sipas raportit, pagat në sektorin publik janë mesatarisht 25% më të larta se pagat në përgjithësi. Pothuasje 60% e të punësuarve përfitojnë nga të ardhurat të barabarta me pagën minimale. Transporti dhe telekomunikacioni kanë pagën më të lartë, me një mesatare prej 55 mijë lekësh, më pas vjen industria dhe ndërtimi me 35 mijë dhe në fund është sektori i shërbimeve.
/ Top Channel/
Marrë nga top-channel.tv