36- vjeçarja nënë e dy vajzave, mes luftës kundër kancerit dhe varfërisë
Ina Balla është 36 vjeç dhe nënë e dy vajzave. Veç kushteve të vështira ekonomike, ajo duhet të përballet me një sfidë të madhe, luftën kundër kancerit të gjirit.
“Unë vuaj nga kanceri në gjoks. Më thanë që duhet hequr gjoksi urgjent sepse është kancer femëror dhe nga momenti në moment mund të bëhesh më keq”, ka thënë ajo për “Shqiptarja.com.”
Pamundësia ekonomike e ka penguar Inën të ndjekë kurat dhe të bëjë terapinë në kohën e duhur. Që prej 22 marsit ajo i është nënshtruar kimioterapisë së katërt, gjatë së cilës tregon se sëmundja ka avancuar dhe i ka prekur mëlçinë.
Sot ajo po përballet me të njëjtin problem, pamundësinë ekonomike për të bërë diagnostifikimin e sëmundjes që po i merr jetën. Kjo analizë kushton 250 euro, ndrësa ajo merr një ndihmë ekonomike prej 35 mijë lekësh të vjetra në muaj.
“Më thanë tani që të bëj një analizë tjetër te privati që kushton 250 euro. Që të shohë ku kam arritur si jam si s’jam. S’ kam mundësi t’i bëj, të mbaj fëmijët apo ti përgjigjem vetes me ilaçe.”, rrëfen Ina.
Veç luftës me kancerin, Ina vuan përballë imazhit të dy vajzave të saj, që përloten tek shohin nënën e tyre të sëmurë në shtrat.
Në gjendjen që është, ajo ndihet e lodhur dhe e dorëzuar përballë sëmundjes dhe jetës së saj të vështirë dhe kërkon ndihmë për të rritur dy vajzat e saj.
/l.k./