Gripi, 10 persona në gjendje të rëndë; Shkollat mund të mbyllen deri më 16 janar
Situata gripale në vend vazhdon të jetë problematike, e megjithatë institucionet përgjegjëse shtetërore thonë se gjithçka është nën kontroll.
Një ditë më parë ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja tha se po shqyrtohet mundësia që shkollat e kopshtet të qëndrojnë edhe një javë tjetër të mbyllura për shkak të situatës së krijuar nga epidemia e gripit dhe i ftohti i acartë që ka goditur vendin.
Shifrat e fundit tregojnë se 10 persona janë në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa është konfirmuar se 8 prej tyre janë prekur nga gripi AH3N2.
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, 7 prej personave që janë prekur nga gripi dhe që ndodhen në gjendje të rëndë i përkasin moshës mbi 50 vjeç, ndërsa vetëm një prej tyre është 37 vjeç.
ISHP-ja bën me dije se kjo shifër nuk i përket vetëm Tiranës, por edhe rretheve të tjera të vendit, pra 8 pacientë me probleme të rënda shëndetësore në gjithë vendin. Mësohet se pacientët janë shtruar në sanatoriume dhe në pavijonet e Infektivit në kryeqytet dhe në qytetet e tjera.
Sa i takon mbylljes së shkollave, kopshteve dhe çerdheve, burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit thonë se nuk ka ende një vendim të dytë. Nga ana tjetër, burime për Top Channel në shkolla dhe çerdhe thonë se do të hapin dyert në datën 16 janar, lajm që nuk është konfirmuar ende as nga Ministria e Shëndetësisë, as nga ajo e Arsimit.
/l.k./