Njerëzit që janë shëruar një herë nga sëmundja e Covid-19, mund të humbasin imunitetin e tyre ndaj sëmundjes brenda pak muajve, sipas hulumtimeve që sugjerojnë se virusi mund të rikthehet te njerëzit vit pas viti, si ftohjet dhe gripërat e zakonshëm.
Në studimin e parë shumëpërfshirës në llojin e tij, shkencëtarët analizuan përgjigjen imune të më shumë se 90 pacientëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor në spitalet e Guy dhe St.Thomas në Britaninë e Madhe dhe gjetën se nivelet e anti-trupave që mund të shkatërrojnë virusin, arritën kulmin rreth tre javë pas shfaqjes së simptomave, pastaj u ulën me shpejtësi.
Testet e gjakut zbuluan se ndërsa 60% e njerëzve kishin një përgjigje “të fuqishme” me anti-trupa në kulmin e betejës së tyre me virusin, vetëm 17% e tyre ruajtën të njëjtën fuqi dhe numër anti-trupash tre muaj më vonë. Nivelet e antitrupave ranë mbi 20 herë dhe në disa raste, ata u bënë tërësisht të padukshëm, raporton The Guardian.
“Njerëzit janë duke prodhuar një sasi të konsiderueshme të antitrupave ndaj virusit, por kjo sasi vjen duke u zvogëluar për një periudhë të shkurtër kohore.” tha Dr. Katie Doores, autori kryesor i studimit në King’s College London.
Studimi ka rëndësi të madhe në procesin e zhvillimit të një vaksine dhe njëkohësisht për gjenerimin e të dhënave mbi “imunitetin e tufës” në komunitet me kalimin e kohës.
Sistemi imunitar ka mënyra të shumta për të luftuar koronavirusin, por nëse antitrupat janë linja kryesore e mbrojtjes, studimet sugjerojnë që njerëzit mund të ri-infektohen me Sars-cov2 përsëri në valë sezonale dhe që vaksinat mund të mos i mbrojnë ato për një kohë të gjatë.
“Këto të dhëna na bëjnë të kuptojmë më mirë dhe efektivitetin e vaksinës. Pra nëse ju jeni të sëmurë me Covid-19 dhe po rikuperoheni, trupi juaj prodhon anti-trupa në nivele që veniten në dy deri në tre muaj, dhe vaksina do të bëjë potencialisht të njëjtën gjë,” tha Doores. “Njerëzit mund të kenë nevojë për riforcim dhe një dozë e vetme vaksine mund të mos jetë e mjaftueshme.”
Rezultatet e hershme nga Universiteti i Oksfordit kanë treguar se vaksina e koronavirusit që po zhvillohet dhe që është duke u testuar te majmunët, prodhon nivele më të ulëta të anti-trupave te ta, sesa nivelet që shihen te njerëzit e shëruar nga virusi. Vaksina dukej se mbronte kafshët nga infeksioni serioz, por nuk i bën ata imunë, pasi sërish disa prej tyre u infektuan dhe mund të kenë qenë në gjendje të kalojnë virusin te individët e tjerë.
Studimi i King’s College është i pari që ka monitoruar nivelin e anti-trupave në pacientë dhe punonjës të spitalit për tre muaj pas shfaqjes së simptomave. Shkencëtarët analizuan rezultatet e testit nga 65 pacientë dhe gjashtë punonjës të kujdesit shëndetësor që kishin rezultuar pozitiv për virusin, dhe një grup tjetër vullnetarësh prej 31 personash që pranuan të bënin teste të rregullta anti-trupash midis marsit dhe qershorit.
Studimi, i cili është dorëzuar për publikim në një revistë shkencore, por që ende nuk është rishikuar nga profesionistët e tjerë të fushës, zbuloi se niveli i anti-trupave u rrit shumë gjatë shfaqjes së simptomave dhe zgjati më gjatë tek pacientët që kishin raste të rënda të infektimit. Kjo mund të jetë për shkak se pacientët kanë më shumë lëndë të virusit në trupin e tyre dhe u nevojiten më shumë anti-trupa për të luftuar infeksionin. / The Guardian