10 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Që prej 10 dhjetorit të vitit 1948, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, bota ka lëvizur disi në këtë drejtim. Organizata që punojnë enkas për këtë çështje, aktivistë, njerëz të fushave të ndryshme, mbështetës e shumë aktorë të tjerë të shoqërisë civile kanë dhënë e japin kontributin e tyre. Ajo tek e cila ne jemi fokusuar sigurisht që është komuniteti LGBT+ në Shqipëri dhe të drejtat e mohuara për anëtarët e këtij komuniteti, gjendja aktuale dhe çfarë pritet në të ardhmen.
Komuniteti LGBT+ dhe të Drejtat e Njeriut
Komuniteti ynë ka bërë deri më tani një rrugëtim të gjatë e të lodhshëm. Le të kthehemi pas në kohë për të parë si ka evoluar gjendja e komunitetit ndër vite.
– Në vitin 1925, gjatë mbretërisë, zyrtarët shqiptarë shkruanin relacione të gjata për të argumentuar domosdoshmërinë e futjes në Kodin Penal të marrëdhënies së dy burrave.
– Gjatë diktaturës gjendja e komunitetit LGBT+ u përkeqësua. Marrëdhënia mes së njëjtës gjini dënohej me 10 vjet heqje lirie.
– Në vitin 1994, përmes një drafti ligjor në Kodin Penal, dënimi për marrëdhëniet brenda së njëjtës gjini u reduktua, nga 10 vite në 3 vite burg.
– Viti 1995 shënon dekriminalizimin dhe legalizimin e marrëdhënieve mes së njëjtës gjini.
Shkurtimisht, ky ka qenë rrugëtimi i komunitetit në Shqipëri, të paktën gjatë ndërrimit të pushteteve. Siç dhe vërehet nuk bëhet fjalë për të drejta dhe liri. Pyetjes se sa të drejta gëzon ky komunitet mund t’i përgjigjemi fare lehtë.
A kanë të drejtë personat LGBT+ të martohen apo të bashkëjetojnë? Aktualisht martesa dhe bashkëjetesa civile për personat LGBT+ nuk njihet në Shqipëri. Mosnjohja e martesave sjell pasoja pasi nga ana ligjore në rast fatkeqësie partneri nuk gëzon të drejtën të qëndrojë pranë partnerit, nuk mund të ketë ndarjen e të mirave materiale, nuk mund të vendosë në çertifikatën familjare (nëse vendos të ketë fëmijë) edhe emrin e partnerit, etj.
A munden personat LGBT+ të birësojnë fëmijë?
Personat LGBT+ nuk kanë të drejtë të birësojnë fëmijë. I vetmi rast që njihet (mund të ketë dhe raste të tjera por nuk janë bërë publike) është ai i dy mamave të cilat nuk i kanë adoptuar binjaket e tyre por kanë zgjedhur t’i bëjnë vetë. Ende sot, gati dy vite pas ardhjes në jetë të bebeve, ato nuk janë të regjistruara.
A mundet një person transgjinor të ndryshojë emrin dhe gjininë në dokumenta? Edhe për këtë pyetje, ekziston tek ne një rast, ku një vajzë transgjinore po ndjek një betejë ligjore për të ndryshuar emrin dhe gjininë në dokumenta.
Në vitin 2010 u miratua Ligji kundër Diskriminimit. Ky ligj dënon diskriminimin me bazë orientimim seksual dhe identitetin gjinor.
Në vitin 2013, parlamenti shqiptar amendoi në mënyrë unanime kodin kriminal duke i renditur krimet e urrejtjes të nxitura nga homofobia në të njëjtin nivel me krimet me bazë racore, fetare,etj. Gjithashtu ekziston një ligj që dënon me gjobë ose burgim 2 vjet për shpërndarjen e informacionit me përmbajtje homofobike.
Në maj të 2020 Urdhri i Psikologut ndaloi terapinë e konvertimit për personat e komunitetit LGBT+ duke e bërë vendin tonë ndër vendet e para në Evropë ku terapi të tilla janë të ndaluara.
Në qershor të 2020 për herë të parë në Shqipëri, është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, një protokoll Mjekësor për Vlerësimin e Fëmijëve me Zhvillim Gjenital Atipik, ose personat interseks.
Këto dhe probleme të tjera vijojnë të jenë ende të pazgjidhura për personat LGBT+. Por duhet theksuar se ka edhe aspekte pozitive, që kanë ndryshuar në Shqipëri dhe kjo na jep shpresë se situata mund të ndryshojë por jemi ende në fillim dhe kërkohet shumë punë e vullnet. Nga gjithë kjo përmbledhje, vihet re se hapat para kanë qenë të ngadalta dhe jo progresive. Komuniteti LGBT+ nuk gëzon të drejta të barabarta me pjesën tjetër të popullsisë. Sot, në Ditën e Të Drejtave të Njeriut urojmë dhe shpresojmë që komuniteti LGBT+ të fitojë të drejtat bazike sa më shpejt.
Anais