Azilkerkuesit, shqiptaret te dytet ne rajon
Tendenca është në ulje, por azilkërkuesit shqiptarë mbeten problem për 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Të dhënat e fundit të Zyrës Europiane të Statistikave (EUROSTAT) i vendosin shqiptarët të dytët në rajon. Sipas EUROSTAT, gjatë tremujorit të dytë janë 3915 shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e unionit duke e çuar në 8 mijë e 305 numrin e përgjithshëm gjatë 6 muajve të parë të vitit 2014. Në renditjen për rajonin, vendi ynë renditet pas Serbisë, që mbetet në krye të listave për azilkërkuesit, me 10 mijë e 585 kërkesa në 6 muaj, ndërsa më të paktë janë azilantët nga Maqedonia, vetëm 4 mijë e 280 dhe 2 mijë 460 nga Kosova. Sipas Zyrës Europiane të Statistikave, numri i azilkërkuesve është rritur në tremujorin e dytë për 22%, ndërsa në krye të listës me 142 vende nga kanë ardhur azilkërkuesit qëndrojnë sirianët, eritreasit dhe afganët. Raporti i EUROSTAT ka rikonfirmuar se Gjermania, Suedia, Franca dhe Italia mbeten destinacionet e preferuara të emigrantëve që kërkojnë azil në Bashkimin Europian.
Marrë nga gazeta-shqip.com