Ditari i Kosoves 1999/ Ringjallja e Prishtines (2)
Nga Mero Baze
Një bori e fortë makine në rrugicën që zbriste nga tregu i lirë në rrugën kryesore Ulpianë, hotel “Grand”, tërhoqi vëmendjen e qytetarëve në mëngjesin e së premtes në Prishtinë. Një shofer shqiptar nuk i hapte rrugë një shoferi serb, i cili kishte tentuar të merrte pak nga hapësira e tij e kalimit. Dueli i borive zgjati për disa minuta, derisa serbi u tërhoq. Në rrugët pa policë të Prishtinës kjo ishte ndoshta ngjarja më pak e rrezikshme në lirinë e të dy palëve për t’u sjellë me njëra-tjetrën.