Dosja e 21 janarit, e harruar prej dy vitesh në sirtaret e Gjykatës së Lartë
Më 28 dhjetor 2013, Gjykata e Lartë përcaktoi gjykatësin Edmond Islamaj për të shqyrtuar rekursin e Prokurorisë mbi vendimin e gjykatës së Apelit për vrasjet e ndodhura gjatë protestës së Partisë Socialiste në 21 janar 2011.
Por Gjykata e Lartë nuk ka caktuar ende një datë për marrjen e çështjes në shqyrtim.
Proceset gjyqësore në Gjykatën e Lartë vonohen zakonisht për vite më radhë për shkak të numrit të lartë të vendimeve që paraqiten në këtë gjykatë për shqyrtim, por gjithsesi, gjykata i ka instrumentet ligjore në dispozicion që të zbatojë procedurë të përshpejtuar për çështje të caktuara.
As gjykata dhe as relatori nuk pranuan të komentojnë për BIRN se për çfarë arsye nuk është marrë parasysh kërkesa e familjarëve të viktimave të 21 janarit për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar të çështjes.
Në protestën e 21 janarit 2011 në Tiranë, mbështetësit e Partisë Socialiste u përleshën me forcat policore dhe me Gardën e Republikës në selinë e kryeministrit për orë të tëra, ndërsa Garda e Republikës hapi zjarr, gjë që solli vdekjen e katër protestuesve, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.
Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, familjarët e viktimave kërkuan rihapjen e hetimeve ndërsa Parlamenti Europian i bëri thirrje autoriteteve shqiptare “që procesi për të dhënë drejtësi për viktimat e ngjarjeve të 21 janarit 2011 të vazhdojë pa vonesa të panevojshme.”
Kryeministri Edi Rama premtoi se do të punojë për rivendosjen e drejtësisë në përvjetorin e katërt të vrasjeve më 21 janar 2014.
“Me familjarët e 21 janarit. Koha për të lëvizur me një alternativë të re kërkimi të drejtësisë. Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin!” –shkroi Rama në twitter.
Por pavarësisht kësaj asgjë nuk ka lëvizur.
/Lindita Çela| BIRN
/l.k./