E dashur Ana, mos u deshpero! Behu simbol i kurajos sone…
Nga Mero Baze:
E dashur Ana!
Po të drejtohem ty si një prej tri vajzave të mbetura jetime nga ky akt barbar. Amelia dhe Mentila, dy vajzat e vogla të Aleks Nikës, ende nuk kuptojnë gjë.
Sot është një ditë e keqe për të ta kujtuar skenën që miliona njerëz e kanë parë, kur babai yt u këput në bulevard nga plumbi i gardistit.
Është ditë e keqe, pasi në pritjen tënde të gjatë dyvjeçare, ti sot ke parë më shumë se sa rivrasjen e babait tënd. Sot ke parë dhe kuptuar, se babi yt u vra me vetëdije, dhe mbi këtë vrasje, një burracak i fshehur pas xhamit të blinduar ka llogaritur mbajtjen e pushtetit në këtë vend.
Do kalojnë kohë dhe ndoshta një ditë do të jesh e qartë çfarë ndodhi me babin tënd, por kurrë nuk do ta kuptosh pse jeta e tij ishte kaq e domosdoshme për t’u bërë fli nga burracaku që vret pas xhamave të blinduar të zyrës.