Gazetarët italianë protestojnë kundër deklaratave skandaloze të zëvëndëskryeministrit

Gazetarët italianë ditën e djeshme u bashkuan për për të denoncuar fyerjet dhe kërcënimet që bëhen drejt tyre nga politikanët kryesorë të vendit. Sindikatat e gazetarëve lajmëruan protesta, pasi Luigi Di Maio, zëvendëskryeministri i vendit dhe kreu i lëvizjes populiste 5 Yjet (MS5), i quajti gazetarët “çakej” dhe “prostituta” gjatë fundjavës.
Di Maio ofendoi rëndë gazetarët në Facebook, pasi kryetarja e bashkisë së Romës, përfaqësuese e 5 Yjeve, Virginia Raggi, u akuzua si e përfshirë në një rast korrupsioni.
“Turpi i vërtetë i këtij vendi është shumica e mediave intelektualisht dhe moralisht të korruptuara”, shkruan ai në Facebook, duke akuzuar gazetarët se po përpiqen të rrëzojnë kryebashiaken Raggi. Ai gjithashtu u zotua të vendosë rregulla të reja për të ulur fondet e medias dhe për të dënuar të ashtuquajturit “pronarë të mediave të papastërta”.
Protestat u organizuan në qytetet e mëdha, përfshirë Romën, Milanon, Gjenovën, Bolonjën, Torinon dhe Venecian, nën moton “Hands off the information”.
Qëllimi i fushatës është të “mbrojë lirinë e shtypit dhe të kundërshtojë gjuhën e papërshtatshme të politikës. Federata Europiane e Gazetarëve ofroi gjithashtu përkrahje për kolegët e tyre italianë dhe organizoi protesta në Bruksel dhe Londër.
Italia renditet ndër vendet me rekordin më të keq për lirinë e shtypit në Europë, sipas Reporterëve pa Kufij. Organizata jofitimprurëse thotë se dhuna ndaj gazetarëve italianë po rritet – pjesërisht për shkak të krimit të organizuar, siç është mafia. Por gjithashtu paralajmëron se “gazetarët gjithnjë e më shumë zgjedhin të censurojnë veten për shkak të presionit të politikanëve”./k.j
Burimi: Euronews