Gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri sipas Amnesty International
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Amnesty International” nxori raportin e saj vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ku analizon 160 vende, ndër të cilat edhe Shqipërinë.
Problemet kryesore që nënvizon “Amnesty International” në Shqipëri, janë gjendja e komunitetit Rom dhe Egjiptian, sidomos për sa i përket të drejtës së strehimit; situata e rëndë ekonomike që ka detyruar mijëra shqiptarë të largohen drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe mbrojtja e pamjaftueshme e viktimave të dhunës në familje.
DËBIMET E KOMUNITETIT ROM DHE EGJIPTIAN
Organizata ndërkombëtare shpreh shqetësim për shkatërrimin në korrik të banesave të shumë familjeve rome, pasi ishin identifikuar si ndërtime të paligjshme dhe autoritetet nuk kishin lejuar legalizimin e ndërtimeve në përputhje me ligjin e vitit 2014.
KULTURA E PANDËSHKUESHMËRISË
Kultura e pandëshkueshmërisë mbetet problem, vëren në raportin e saj Amnesty International, duke përmendur ish-drejtorin e policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe zëvendësin e tij Agron Kuliçaj që nuk zbatuan urdhër-arrestet për anëtarë të Gardës Kombëtare të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në janar 2011.
DHUNA NDAJ GRAVE DHE VAJZAVE
Një tjetër problem shqetësues është dhuna ndaj grave dhe vajzave. Në raportin e AI thuhetse megjithë kërkesat e shumta pranë autoritete të grave dhe vajzave për mbrojtje nga dhuna në familje, vetëm një përqindje e vogël e këtyre kërkesave janë miratuar, pasi viktimat tërheqin padinë si rezultat i presionit nga të afërmit.
Ndër probleme të tjera në Shqipëri, raporti ngre gjendjen e vështirë ekonomike që ka shtyrë mijëra vetë gjatë vitit të kaluar të kërkonin strehim në Evropën Perëndimore. Po ashtu mbetet problem, thekson Amnesty International, gjendja në burgje dhe qendra para-burgimi ku të burgosurit dhe të ndaluarit keqtrajtohen dhe mbahen në kushte të papërshtatshme.
/l.k./