Historia e Edlirës, dy dekada punë në Uzinën e Naftës Ballsh, sot proteston për tu rikthyer
Rreth 1500 punëtorë të Kombinatit të Përpunimit të Naftës në Ballsh janë lënë pa rroga prej 9 muajsh pas falimentimit të kompanisë që kishte në pronësi uzinën.
Prej kohësh ata protestojnë duke kërkuar zgjidhje për problemin e tyre. Gjatë dy ditëve të shkuara protesta u zhvendos në Tiranë, ku punëtorët bashkë më grupin e aktivistëve të Organizatës Politike protestuan përpara Kryeministrisë.
“Dritare.net” ka intervistuar një prej punëtoreve.
Edlira, 46 vjeç, sapo mbaroi shkollën profesionale për naftë kimike, hyri në punë uzinën e Përpunimit të Naftës në Ballsh. Ishte vetëm 18 vjeç, por përsëri nuk i trembej punës apo përgjegjësive.
“Çdo punë është e vështirë, por të punosh në naftë, me turne e aq më tepër një vajzë që ende është fëmijë, është një hap shumë i madh. Por ne ashtu ishim të gjitha, goca të reja, në shpinë kishim vetëm njohuritë që kishim marrë në shkollë dhe dëshirën e madhe për të ecur para. Në punë duhet të ishim në orën 7:00 të mëngjesit, të veshur me përparëse e gati për të nisur punën me disiplinë.”
Edlira na tregon se gratë kanë qenë gjithmonë aset kryesor për ecurinë e Uzinës.
“Çdo repart kishte femra, në laborator ishin rreth 70 gra. Prandaj në qytetin e Ballshit gruaja ka qenë gjithmonë në punë, kurse tani jemi kthyer në shtëpiake.”
Por Edlira nuk është një shtëpiake e zakonshme, puna është kthyer në një domosdoshmëri jetike për të. Nuk është vetëm çështje financiare, por ajo nuk di të jetojë pa punë, i mungon kënaqësia e jetës, që merrte kur punonte.
“Në fillim e kisha shumë të vështirë, ngrihesha nga gjumi dhe thosha, si do ta kaloj ditën sot, ishte shumë e vështirë ta konceptoja, nuk jam mësuar të jem një shtëpiake. Kisha shumë stres, rrija vetëm brenda dhe bëja punëdore. Unë dhe telenovelat nuk i duroj dot, më duken një fantazi e panevojshme për jetën reale. Edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë muaj që nuk punoj, ende nuk jam mësuar.”
E martuar në moshën 23 vjeçare, Edlirës i shkëlqejnë sytë kur flet për bashkëshortin. E konsideron si mbështetjen e saj kryesore. Me një buzëqeshje që rrallë e kam parë gjatë këtyre dy ditëve të protestës, më thotë se e ka marrë me dashuri, fryti i të cilës është një djalë, student në Tiranë.
“Çuni punon në një call center, që t’ia dalë mbanë sepse me rrogën që merr bashkëshorti mundemi vetëm të mbijetojmë. Puna është nder, lum kush punon. Gjithmonë thosha, unë jam njeri me fat që punoja. Por tani na kanë braktisur.”
Edlira ka punuar aq shumë, sa i vetmi pushim që ka marrë ka qenë leja e lindjes dhe asnjë ditë tjetër nuk ka munguar në punë. Uzina nuk e ka ndaluar kurrë punën. Edhe në vitin ’97 , Uzina punonte.
Më shumë se dy dekada të kushtuara punës në Uzinë, 46 vjeçarja ka vetëm një pendesë.
“Unë jam me fenole në gjak, çdo muaj shtrohem në spital dhe ilaçet i kam gjithmonë me vete, duhet t’i pi rregullisht,” – thotë Edlira duke më treguar ilaçet në çantë. Edhe kur isha shtatzënë shkoja në punë dhe ishte kjo arsyeja pse djali më doli i sëmurë, kur lindi. Kemi vuajtur për vite me radhë derisa gjendja e tij u stabilizua. Është kjo arsyeja pse nuk kam bërë fëmijë të tjerë, pasi ishin doktorët që ma ndaluan.”
“Kur djali më thoshte, ‘mami më bëj një vëlla ose motër’, unë nuk mund ta bëja dot. Sepse duhej të lija punën, nëse doja një barrë normale. Është i vetmi moment që jam penduar, që nisa punë atje.”
“Sot që jam pa punë them që kam bërë gabimin më të madh të jetës sime, më mirë të kisha dhe një fëmijë tjetër, sesa vazhdova në Uzinë dhe nuk kompletova dot familjen time,”- thotë Edlira në lot, e ulur në trotuaret e Kryeministrisë, në shi, duke kërkuar punën që i morën.
“Vargjet e Migjenit janë shkruar për ne, moj vajzë,”- e mbyll Edlira, se i duhet të shkojë të brohorasë, me familjen e saj të madhe, siç ajo i quan.
/l.k./