Komuniteti Rom në Shkozë letër Veliajt: “Me këto kushte nuk e kalojmë dot dimrin”
Aktivistë të komunitetit rom dhe egjipitian i kanë nisur një letër kryebashkiakut Veliaj, ku i kërkojnë marrjen e masave për familjet që jetojnë në zonën e Shkozës, të cilat nuk kanë kushtet e domosdoshme për të përballuar dimrin.
Komunitetit rom në këtë zonë prej vitesh i është mohuar e drejta e strehimit dhe jeton në kushte të mjerueshme.
Në ditët e fundit të vitit 2015 fëmija i një familje rome që jeton në zonën e Shkozës ndërroi jetë për shkak të të ftohtit.
“Nuk kaloi shumë kohë nga fatkeqësia që ndodhi në këtë zonë dhe është lënë në heshtje. Në ditët në vijim pritet që moti të përkeqësohet dhe asnjë nga pushtetarët nuk kthen sytë nga ky komunitet”, shkruhet në faqen “Aktivizmi Rom dhe Egjiptian” në rrjetin social “Facebook”.
“Po ju bëjmë me dije se në zonën e Shkozës janë 60 familje të cilat jetojnë në barake, përtej çdo standardi jetese, me një nivel shumë të ulët ekonomik dhe në pamundësi për të përballuar stinën e dimrit. Siç mund të jeni në dijeni, pak ditë më parë një foshnjë humbi jetën për shkak se familja nuk ka mundësi për të siguruar ngrohjen”, thuhet në letrën e dërguar kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ata kërkojnë ndihmë për të t’u siguruar mjete ngrohëse si dhe për riparimin e barakave.
“Kërkojmë të na ndihmoni me mjete ngrohëse të cilat janë të përshtatshme me kushtet në të cilat jetojmë. Shpesh përballemi me mungesën e energjisë elektrike, e cila e bën akoma më të vështirë situatën tonë. Gjithashtu kërkojmë ndihmën tuaj për të na mundësuar riparimin e barakave të cilat nuk mund t’i bëjnë ballë reshjeve dhe të ftohtit”, theksojnë më tej banorët. /l.k./