TË DISKRIMINUAR!

“Kërkojmë pastruese. Jo me ngjyrë” ishte ky një njoftim në një lokal në Elbasan, që nxiti revoltën e komunitetit rom dhe egjiptian atje.
Dhjetëra anëtarë të këtyre komuniteteve protestuan kundër diskriminimit dhe racizmit ditën e hënë 21 shkurt në qytet.
Ata thanë se rastin në fjalë nuk e shohin si një rast të veçuar, por kjo sipas tyre tregon qartë se në shoqërinë tonë ende ekziston diskriminimi i thellë ndaj tyre.
“Ky rast është më shumë se kaq, është një tregues që fakton dhe buçet me të madhe për ekzistencën e diskriminimit ndaj minoritetit rom dhe egjiptian dhe duhet pranuar nga të gjithë se është një plagë sociale në shoqërinë tonë.”-tha një përfaqësues i protestuesve.






Gjatë protestës ata mbajtën pankarta në duar ku shkruhej se “Racizmi është pandemia e radhës”.
“Ne jemi të diskriminuar nga njerëzit. Është shumë e vështirë, ne pa punë gjithë jetën jemi. Nuk gjejmë dot të drejtat tona, nuk kemi mbështetje.”-u shpreh një protestuese.
Në protest mori pjesë edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda i cili tha se raste të tilla nuk duhet të përsëriten.
“Ne urojmë shumë që kjo ngjarje kaq e rëndë të shërbejë për këdo në Shqipëri që të mos dallojë dhe mos diferencojë njerëzit për asnjë lloj përkatësie.”-tha Gajda./ HistoriaIme