KShH reagon lidhur me ndotjen shkaktuar ne disa zona te Fierit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit(KShH), përmes njoftimeve në mediave, është vënë në dijeni se, në zonën e Zharrëzit, Marinzës, etj., nga nxjerrja e naftës, janë ndotur disa dhjetëra kilometra katrorë tokë. Madje, në dt. 15.09.2014, në fshatin Vërri, të Rrethit Fier, për shkak të çlirimit të gazit ka pasur dhe shpërthim të një nga puseve të naftës, gjë që detyroi evakuimin e banorëve të zonës përreth. Banorët e zonës prej kohësh kanë ngritur zërin për cenimin e shëndetit, të jetës e të pronave të tyre nga kjo veprimtari dhe pretendojnë se asnjë institucion, publik apo privat, nuk ka shkuar të diskutojë me ta për këto shqetësime, ose të marrë masa për përmirësimin e situatës.
Të nxitur nga ky informacion përfaqësuesit e KShH-së shkuan në zonë, ku konstatuan se shumë pretendime të banorëve të zonës ishin të drejta. Ajri në këtë zonë rezulton i ndotur me gazra që çlirohen nga proces i nxjerrjes së naftës. Kjo situate, ndër të tjera, ka shkaktuar edhe shtimin e sëmundjeve të ndryshme ndër banorë të zonës. Në Raportin për monitorimin e ajrit në qytetin e Fierit, për vitin 2014, të kryer nga Drejtorinë Rajonale Shëndetësore e Qarkut Fier rezultonte se, ndotja e ajrit gjatë këtij viti ka qenë më e lartë se vitet e mëparshme, duke mos respektuar jo vetëm normën e cilësisë së ajrit, të miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por as parametrat vendase.
Veç kësaj, nga analizat mjekësore të kryera për banorët e zonës ka rezultuar se, për shkak të gazit që thithin bashkë me ajrin, shumë prej tyre kanë rezultuar me përmbajtje të lartë te karbonit në gjak. Veçanërisht shqetësues është fakti i shtimit, sipas deklarimit të punonjësve të Qendrës Shëndetësore Zharrëz, me rreth 6 %, i numrit të personave me sëmundje kancerogjene, të cilat po përhapen edhe tek moshat e reja.
KShH bashkohet me shqetësimet e ngritura nga banorët e zonës dhe nëpërmjet kësaj deklarate dëshiron të nënvizojë se asnjë sipërmarrje ekonomike, sado me interes, nuk mund, e nuk duhet të lejohet të zhvillohet në kurriz të të drejtave themelore të shtetasve. Është detyrë e gjithë subjekteve, privatë e publikë, të respektojnë të drejtat e liritë themelore të shtetasve, duke u kujdesur së pari, të marrin masat e nevojshme për parandalimin e shkeljes së tyre, si dhe të ndihmojnë për të kthyer në vend të drejtat e cenuara dhe dëmshpërblimin e viktimave, kur cenimi i të drejtave ndodh dhe provohet.
Për sa më sipër, KShH i bën thirrje Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Shëndetësisë të kryejnë verifikimet e nevojshme dhe nëse rezulton siç pretendohet, të merren masat e parashikuara në ligj për të garantuar mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të shtetasve të zonës, të mjedisit, si dhe për të garantuar që zhvillimi i atyre aktiviteteve industriale të kryhet në përputhje me ligjin dhe parametrat e nevojshëm teknikë, e të sigurisë.