Mashtrohen se do i punësojnë, shfrytëzohen seksualisht edhe në Kosovë, Greqi, Maqedoni
Shpresa Mezini
Shqipëria ka bërë përmirësime në fushën e trafikimit të njerëzve, pasi është ngjitur në renditjen e “Grupit 2”, duke dalë nga “Lista e Vëzhgimit”. Kjo deklarohet nga DASH në raportin e publikuar dje, por Shqipëria konsiderohet burim trafiku për burrat, gratë dhe fëmijët, që shfrytëzohen për qëllime seksuale dhe për punë të detyruar brenda vendit, në rajon, por edhe përtej tij. Femra të grupmoshave të ndryshme, mashtrohen nga grupe kriminale, që i premtojnë se do t’i punësojnë jashtë shtetit, ndërsa me të mbërritur në destinacion i trafikojnë seksualisht, për përfitime personale. Faktet skandaloze zbardhen në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, për trafikun njerëzor për vitin 2013. E megjithatë, në të nuk përjashtohen meritat e qeverisë “Rama”, me ardhjen në pushtet në shtator të 2013-s, mbi përpjekjet për të parandaluar trafikimin; trajnimin e gjykatësve, prokurorëve, oficerëve të policisë; mbi hetimin, ndjekjen penale të trafikantëve, si dhe për identifikimin dhe hetimin dhe mbrojtjen e viktimave. “Gjatë vitit të kaluar, qeveria e Shqipërisë rriti përpjekjet ligjzbatuese kundër trafikimit, përmirësoi legjislacionin për kundërvajtjet penale, si dhe ndëshkoi si duhet të dënuarit. Qeveria trajnoi 57 gjykatës, prokurorë dhe oficerë policie mbi hetimin dhe ndjekjen penale të trafikantëve, si dhe identifikoi, hetoi dhe mbrojti viktimat. Qeveria rriti numrin e policëve gjyqësorë dhe prokurorëve të posaçëm të caktuar për çështje trafikimi nga tre në shtatë gjatë periudhës së raportimit. Në tetor 2013, pak pas marrjes së detyrës, qeveria emëroi një koordinatore të re kombëtare antitrafikim. Për herë të parë, caktoi edhe një buxhet të veçantë për zyrën e koordinatores kombëtare antitrafikim me vlerë afërsisht 50 000 dollarë”, thuhet në raportin e DASH-it, për ato që konsideron arritje të qeverisë “Rama”. Por, sipas tij, pavarësisht këtyre përpjekjeve, të dhënat që regjistrohen në Shqipëri, për sa u takon personave të trafikuar për qëllime seksuale apo që bëjnë punë të detyruar mbetet problematik.
“Femrat dhe fëmijët shqiptarë i nënshtrohen në radhë të parë trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Grupe kriminale rekrutojnë me anë të mashtrimit femra me oferta për punësim, si kameriere, banakiere, kërcimtare apo këngëtare në vendet fqinje, specifikisht në Kosovë, Greqi e Maqedoni dhe i nënshtrojnë ato ndaj trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual. Viktima nga Filipinet dhe Shqipëria iu nënshtruan punës së detyruar në Shqipëri”, thuhet në raportin e DASH-it. Ndërkohë, sipas tij, ka një problem në rritje me fëmijët shqiptarë, kryesisht të etnisë rome, që i nënshtrohen lypjes së detyruar dhe forma të tjera pune në Greqi, Kosovë dhe brenda Shqipërisë, pa përjashtuar një numër të caktuar vajzash, që i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual apo pune të detyruar pas martesave me ujdi. Në raport theksohet se qeveria shqiptare nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, pavarësisht se është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë, sepse pavarësisht se rriti numrin e viktimave të identifikuara, një numër i vogël autorësh trafikimi u ndoqën penalisht dhe u dënuan. DASH thotë gjithashtu se viktimat merrnin shërbime të pamjaftueshme të shëndetit mendor në strehën e administruar nga shteti dhe se personeli i kujdesit shëndetësor kishte nevojë për trajnim. Nisur nga kjo logjikë, ai i rekomandon qeverisë shqiptare: “të hetojë dhe ndjekë penalisht kundërvajtjet e trafikimit; të dënojë dhe ndëshkojë autorët e kundërvajtjeve; të sigurojë që viktimat të kenë akses te ndihmat; të ofrojë financim për OJQ-të për strehët dhe shërbimet e ndihmës për viktimat, nëpërmjet Fondit të Posaçëm për Parandalimin e Krimeve; të trajnojë prokurorë dhe gjykatës mbi amendamentet ligjore të fundit lidhur me trafikimin; të trajnojë personelin mjekësor të strehëve që administrohen nga shteti mbi mbështetjen me viktimën në qendër; të trajnojë më tej policinë dhe zyrtarë në nivel vendor për të rritur numrin e viktimave të identifikuara dhe të ndihmuara; të vazhdojë të trajnojë inspektorët e punës dhe të tjerë zyrtarë mbi identifikimin e viktimave”.
Marrë nga Gazeta Shqip: http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/06/21/dash-femijet-shqiptare-viktima-seksi-ne-europe/