Drejt Tiranës për protestë!
Me këtë thirrje kanë njoftuar minatorët e Bulqizës, zhvillimin e një marshimi protestues në Tiranë ditën e dielë.
Në vijim të përpjekjeve të tyre për t’i dhënë fund heshtjes mediatike dhe për zbatimin e plotë të kërkesave të tyre për kushte më të mira në punë dhe njohje të organizimit sindikal, minatorët priten të marshojnë drejt Ministrisë së Financave në Tiranë, ditën e dielë në orën 11:00.
Shteti mbahet në këmbë nga djersa jonë, por ai nuk kujdeset për fatin tonë. Ky shtet i korruptuar është bërë palë me shtypësit e minatorëve.
“Ministria e Financave nuk na përgjigjet për kontratën kolektive. Kryeministri Rama krenohet që në Shqipëri nuk ka sindikata. Inspektorati i Punës mbyll sytë përpara aksidenteve fatale në minierë dhe shkeljeve të rënda të Kodit të Punës. Për minatorët nuk flet as Radio Televizioni Shqiptar, në shkelje të plotë të ligjit për të drejtën e informimit që qytetarët shqiptarë duhet të gëzojnë.”, shkruhet në thirrjen e tyre për protestë.
Nga e hëna në të shtunë rrezikojmë jetën për të nxjerrë krom. Të dielën do të nisemi drejt Tiranës për t’u kërkuar llogari institucioneve publike që duhej të ishin në anën tonë.
Njoftimi i tyre mbyllet me një thirrje drejtuar qytetarëve të Tiranës për tu bashkuar me kauzën e tyre, ditën e dielë në orën 11:00.